Llogaritë e javëve të fundit/ Elbasani mban zgjuar “Final 4”! Dinamos i duhet 1 pikë, ndërsa Vllaznisë katër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2025 | 22:50

Llogaritë e javëve të fundit/ Elbasani mban zgjuar “Final 4”! Dinamos i duhet 1 pikë, ndërsa Vllaznisë katër

Pavarësisht gjithçkaje, situatave në klub, re zultatateve, formës së lojtarëve, dëmtimeve dhe aleancave, çdo skuadër e Superiores bën llogaritë e saj në këto katër javë të mbetura për të luajtur në kampionat. Egnatia, Dinamo, Vllaznia dhe Partizani janë katër ekipet e renditura në fillim dhe kanë rezervuar këto vende që nga java e 12-ë.

elbasani partizani

Për 20 javë radhazi, asnjëra prej tyre nuk ka zbritur poshtë vendit të katërt, pavarësisht se Elbasani ka qenë gjithmonë aty duke iu bërë një lloj presioni, më përpara në mënyrë të zbehur, ndërsa tani pak më seriozisht. Ai që rrezikon është Partizani, sepse ndodhet 4 pikë larg “kufirit”. Katër ekipet e para janë edhe ato që garojnë në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, me fituesen që pret një biletë për në kualifikueset e Ligës së Konferencës.

Kështu, interesi është që të katërta këto ekipe që janë aktualisht në katër vendet e para, ta përfundojnë kështu fazën e rregullt të 36 javëve kampionat dhe, si shpërblim, asnjëra nuk do të rrezikonte që të mbetej pa shkuar në Europë. Kjo e përkthyer që një prej tyre do të kalonte nga Kupa në Europë dhe pavarësisht renditjes së përgjithshme pas fazës “Final 4”, vendi do të spostohej te një prej tyre.

“FINAL 4”- Nëse Egnatia e ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “Final 4”, vendit të dytë, që është Dinamo, i duhet vetëm një pikë për ta bërë diçka të tillë, duke supozuar se Elbasani do t’i fitojë të katërta ndeshjet e mbetura. Ndërkohë Vllaznisë, e cila është në vendin e tretë, i duhen matematikisht edhe 4 pikë për të mos rrezikuar, ndërsa Partizani i ka llogaritë e hapura me Elbasanin. Të kuqtë janë aktualisht 4 pikë para, ndërsa janë edhe 16 të tilla në lojë dhe ekziston edhe një përballje direkte mes tyre në javën e fundit. Pra, ujrat për Europën, mund t’i trazojë vetëm Elbasani.

Nëse verdheblutë do të kapnin “Final 4”, asnjëra prej tri ekipeve lart nuk do të bëjë gjumin e qetë, pasi edhe Egnatia që mund ta mbyllë e para në kampionat, mund të përfundojë jashtë Europës, nëse humb dy takimet në “Final 4” dhe nuk fiton Kupën. Java e ardhshme mund të jetë përcaktuese për Dinamon, ndërsa Vllaznia dhe Partizani duhet të presin edhe pak.

MBIJETESA- Shumë më e ndërlikuar llogaria në fundin e tabelës, kjo pasi pesë skuadrat që janë në “luftë” për të qëndruar në Superiore, ndahen vetëm me 2 pikë. Pra, Teuta është 34 pikë dhe e pozicionuar në vendin e gjashtë, ndërsa Tirana e dhjeta me 32 pikë.

Kështu që gjithçka mbetet e hapur dhe një fitore e njërës, barazimi apo humbja e tjetrës mund të rrëzojë dhe ngrejë këdo. Janë më shumë se 100 kombinime për katër ndeshjet e mbetura të Superiores, se si do të jetë fati i pesë skuadrave që luajnë për dy vende të sigurta në elitë dhe një në “play out”.

KRISTI SEJATLLARI  – PANORAMASPORT.AL