Leksion nga Greqia, 5.5 milionë euro për skuadrat inferiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2019 | 8:30

Leksion nga Greqia, 5.5 milionë euro për skuadrat inferiore

Përfitimet nga e drejta televizive e transmetimit të ndeshjeve janë një prej burimeve financiare nga të cilat mund të përfitojë një klub. Në Shqipëri, një pjesë e mirë e klubeve të futbollit janë në krizë dhe kjo është pranuar së fundmi edhe nga vetë presidentët.

ERT

Në Greqi, ERT që është Televizoni Publik Grek, do të shpenzojë 5.5 milionë euro për të drejtat televizive të Ligës së Dytë greke (në Shqipëri, Kategoria e Parë). Një shifër e konsiderueshme për Ligën e Dytë të futbollit në vendin fqinj, ndërsa kampionati ka 16 ekipe. Kjo shifër u shpërndahet klubeve dhe është një mundësi e mirë për to.

Edhe në Shqipëri, e drejta e transmetimit të kampionatit të Kategorisë së Parë është blerë nga RTSH prej tri vitesh. Palët kanë nënshkruar një kontratë 5-vjeçare, ndërsa publikisht nuk është bërë e ditur asnjë shifër që Televizioni Publik paguan për këtë. Burime pranë FSHF-së kanë bërë të ditur se është një shumë relativisht e vogël, ndërsa pjesë e kampionatit janë 20 klube.

Shumë pak për klubet shqiptare që kanë buxhet të vogël. Federata Shqiptare e Futbollit nuk po arrin që ta bëjë tërheqës kampionatin e Kategorisë së Parë, ndërsa edhe formula po rezulton e dështuar.

5.5 MILIONE EURO

Në një situatë të tillë, përfitimet e klubeve janë minimale. Një leksion nga vendi fqinj ku televizioni publik paguan një shumë të majme për Ligën e Dytë të futbollit. Kjo do t’i ndihmonte shumë klubet edhe në Shqipëri nëse shuma që do të jepej për të drejtën TV do të ishte e konsiderueshme.