Laçit i duhet një revolucion i ri, humbet pjesë nga ekipi i titullit. Titullarit i del emri te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2026 | 9:45

Laçit i duhet një revolucion i ri, humbet pjesë nga ekipi i titullit. Titullarit i del emri te Vllaznia

Laçi i sezonit 2025-2026 pritet të ketë një fytyrë krejtësisht të re, pasi pas përfundimit të edicionit të fundit, kurbinasit kanë humbur disa nga pjesët më të rëndësishme të grupit triumfues. Pas vetëm një sezoni në Kategorinë e Parë, Laçi u rikthye menjëherë në Superiore, madje duke u shpallur edhe kampion. Kurbinasit triumfuan në ndeshjen e fundit ndaj rivalit direkt, Skënderbeut, duke rrëmbyer vendin e parë, si dhe shpërblimin prej 30 milionë lekësh që akordon FSHF-ja për fituesin e kampionatit.

laci

Edhe pse ekipi ka nisur pushimet, drejtuesit e klubit kanë filluar menjëherë punën për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për elitën. Megjithatë, duket se sezoni i ardhshëm nuk do ta gjejë Laçin me disa nga “xhevahirët” e tij më të çmuar. Lojtarë si Agan Mjaki, Ledio Tresa dhe Arlind Kurti pritet të ndryshojnë fanellë, pasi aventura e tyre me bardhezinjtë duket se ka përfunduar. Mjaki përfl itet pranë kampionëve të Dritës në Kosovë, ndërsa Ledio Tresa pritet të veshë fanellën e Elbasanit sezonin e ardhshëm.

Sa i përket Kurtit, heroit të golit të titullit në Korçë, ai përmendet si një afrim i mundshëm i Vllaznisë për edicionin e ri. Bëhet fjalë për tre lojtarë shumë të rëndësishëm, largimi i të cilëve do të linte një boshllëk të madh në formacionin e Laçit. Por këta nuk pritet të jenë të vetmit emra që do të largohen, pasi në vijim priten edhe lëvizje të tjera në merkato. Gjithsesi, drejtuesit kurbinas kanë treguar ndër vite se dinë të ndërtojnë skuadra konkurruese, madje edhe duke zbuluar talente të reja.

Një brez premtues Laçi e ka edhe te skuadra U-19, e cila zhvilloi një sezon mbresëlënës, duke e humbur vetëm në fund betejën me Partizanin për titullin kampion të grupmoshës. Projekti i ri i Laçit pritet të nisë nga pankina, pasi në listën e largimeve përfshihet edhe trajneri Naxhi Shensoj, i cili mesa duket ka preferuar të largohet si kampion, duke mbyllur me sukses aventurën e tij te bardhezinjtë.

PANORAMASPORT.AL