Kuqeblutë janë të fortë në shtëpi, te Vllaznia duan suksesin e parë në transfertë
Pavarësisht se kryeson kampionatin në kuotën e 13 pikëve pas 6 javësh, duke shënuar 11 gola e duke pësuar 5 të tillë edhe Vllaznia ka shfaqur një pikë të dobët deri më tani në këtë edicion të Superiores.

Kështu shkodranët nuk “dinë” të fitojnë larg “Loro Boriçit”, ku nga 13 pikët e grumbulluara, kuqeblutë kanë fituar 12 të tilla në shtëpinë e tyre falë fitoreve ndaj Egnatias, Partizanit, Vorës dhe Elbasanit. Teksa në dy duelet jashtë Shkodrës, skuadra ka marrë vetëm një pikë deri më tani. Ekipi i Martinit ka humbur në shifrat 3-1 ndaj Dinamos në Elbasan, që momentalisht është edhe disfata e vetme e 9 herë kampionëve të vendit deri më tani. Po ashtu kuqeblutë kanë arritur një barazim me rezultatin 1-1 ndaj Teutës në Durrës.
Ku ndaj bregdetarëve u mendua se do të ishte Vllaznia triumfatore, por një gol në sekondat e fundit i durrsakëve “ndau” pikët për dy ekipet. Kështu nga 5 golat e pësuar deri më tani në kampionat, Vllaznia 4 prej tyre i ka marrë në transfertë. Duke treguar kështu se pika e “dobët” momentalisht e shkodranëve janë ndeshjet jashtë fushe.
Diçka që te Vllaznia duan ta përmirësojnë që nga ndeshja e radhës në kampionat që luhet në Ballsh ndaj Bylisit. Me skuadrën që do të kërkojë fitoren, por edhe thyerjen e “akullit” për të arritur suksesin e parë jashtë fushe. E patjetër të vijojë në një ritëm fitoresh pas sukseseve ndaj Vorës në shifrat 2-0 dhe Elbasanit me rezultatin 1-0.
PANORAMASPORT.AL













