Kukësi ndalet sërish, Luftëtari merr pikë me vlera. Devolli: Barazim për moralin. Shabani: Keqardhje, shpërdoruam sërish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2025 | 13:59

Kukësi ndalet sërish, Luftëtari merr pikë me vlera. Devolli: Barazim për moralin. Shabani: Keqardhje, shpërdoruam sërish

Kukësi ndalet sërish dhe vazhdon të mos gjejë qetësi në kampionat, ndonëse me këtë barazim lë përkohësisht dy vendet e fundit në renditje. Ndërkaq, trajneri Bledar Devolli shijon pikën e parë në drejtimin e skuadrës verilindore, por sërish fitorja mungon dhe presioni rritet.

KUKESI LUFTETARI

Në “Kukës Arena” u zhvillua të shtunën ndeshja e javës së tetë të Kategorisë së Parë mes Kukësit dhe Luftëtarit, një duel direk pranë zonës së mbijetesës. Dy ekipet dhuruan gola dhe spektakël veçanërisht në pjesën e parë, duke e mbyllur atë me rezultatin 2-2, ndërsa pjesa e dytë foli për luftë të fortë në mesfushë, dyluftime dhe tentativa të dëshpëruara për gol. Në minutën e 11-të, gjirokastritët kaluan në avantazh me Nianguilën, i cili përfitoi nga një pasiguri mes portierit dhe mbrojtjes vendase për ta dërguar topin në rrjetë. Goli shtangu stadiumin dhe ngriti moralin e miqve. Në fundin e pjesës së parë u aktivizuan emocionet. Kukësi barazoi në minutën e 44-t me Nasir, i cili realizoi pas një aksioni të shpejtë. Vetëm një minutë pas festës, Luftëtari riktheu epërsinë me një supergol të Isterit nga distanca, duke befasuar të gjithë. Kur dukej se gjirokastritët do të shkonin në dhomat e zhveshjes me epërsi, Dragoshi në sekondat e fundit të shtesës goditi saktë për 2-2, duke ndezur edhe më shumë shpresat e Kukësit për përmbysje në pjesën e dytë.

Pas pushimit, verilindorët u hodhën në sulm. Herë me topa të gjatë, herë me goditje nga distanca dhe aksione të shpejta, ata provuan të thyenin mbrojtjen e Luftëtarit, por pa sukses. Miqtë u shfaqën të kujdesshëm dhe në disa momente u mjaftuan me administrimin e pikës në transfertë. Në minutat e fundit presioni kuksian u shtua ndjeshëm, por sërish nuk pati gol dhe takimi u mbyll në barazim. Pas kësaj ndeshjeje, Kukësi e sheh veten në një pozitë ende të rrezikshme, me vetëm një pikë më shumë se Besa dhe Kastrioti që ndajnë dy vendet e fundit. Luftëtari ngjitet në kuotën e 8 pikëve, duke qenë 3 pikë sipër zonës së ftohtë, por pa mundur të shkëputet plotësisht nga rivalët. Sfida e radhës për Kukësin është ajo ndaj Besës në mesjavë, një takim që merr vlera të jashtëzakonshme për mbijetesën. Ndërkohë, Luftëtari do të rikthehet në shtëpi për të pritur Laçin, në një tjetër duel delikat për objektivat sezonalë të skuadrës gjirokastrite.

Kukësi: Arevalo, Xhekson, Mejdani, Dragoshi, Imami, Fejzaj (Pecani 87’), Nasir, Fadiga (Bespallov 59’), Uilson (Grezda 74’), Sefa, Ballhysa (Kristian 59’). (Në dispozicion: Samuel, Lamellari, Brahja). Trajner: Bledar Devolli

Luftëtari: Mamadov, Zaimi, Lala, S.Puci, Tuni (Çelkupa 62’) Isteri (Frashëri 83’), Solomon, Diamanti (Brahimi 83’), Cereni (Ziaj 83’), Nyanguila, Zani (Mukoj 39’). (Në dispozicion: Moreno, Nika, Ndreu, Tabaku, Th.Puci) Trajner: Besmir Shabani

Kartonë të verdhë: Imami 52’, Nasir 54’, Uilson 71’,Bespallov 76’ / Tuni 61’

Gjyqtarë: S.Dyrmishi, E.Ganxhi, R.Zogu (Elbasan)

Delegat: Justin Bespalla(Durrës)

Vëzhgues: Pajtim Lapi(Shkodër)

Trajneri i verilindorëve

Devolli: Barazim për moralin, kemi armët për t’i bërë keq kujtdo

Trajneri i Kukësit, Bledar Devolli, pas marrjes së pikës së parë në drejtimin e verilindorëve dhe barazimit me Luftëtarin, u shpreh i kënaqur me reagimin e skuadrës, por i zhgënjyer nga golat e pësuar. “Kemi punuar dhe besonim se do ta fitonim ndeshjen, sepse luanim ndaj një rivali direkt në zonën e poshtme të renditjes. Nuk më pëlqyen golat që pësuam, ishin të lehtë dhe diçka e tillë nuk duhet të ndodhë, pasi ikin ndeshjet dhe pikët”, tha Devolli fillimisht. Ai theksoi se  skuadra reagoi më mirë pas disavantazhit dhe ka besim te grupi. “Këtë radhë më pëlqeu reagimi, jo si me Laçin që u shthurëm pas pësimit të golit të parë.

devolli

Këtë pikë le ta marrim si pikë morale për të vazhduar punën me seriozitet dhe intensitetin e duhur. Unë besoj, pasi ekipi më ndjek dhe me këta lojtarë me eksperiencë që i kam stërvitur edhe diku tjetër, qoftë edhe te Kukësi, si dhe lojtarët e rinj që kanë ardhur, duhet t’i mësojmë dhe të rregullojmë gjërat si kur kemi apo kur nuk kemi topin. Gjithmonë mbetem besimplotë te këta djem, pasi kanë cilësi dhe i kemi armët për t’i bërë keq çdo ekipi, jo vetëm atyre që janë poshtë në renditje, por edhe pretendentëve kryesorë”, u shpreh trajneri i Kukësit.

Gjirokastritët

Shabani: Erdhëm për fitoren, keqardhje që shpërdoruam sërish

Luftëtari udhëtoi drejt Kukësit me synimin e vetëm për të marrë tri pikët, por në fund u mjaftua me një barazim që megjithatë vlerësohet si pozitiv nga trajneri Besmir Shabani. Pas ndeshjes, ai u shpreh se skuadra e tij kishte ardhur për të fituar, duke qenë i vetëdijshëm për vështirësinë e sfidës. “Erdhëm për të marrë tri pikët në Kukës, ndonëse e dinim se na priste një takim i fortë. Kukësi ka vite në elitën e futbollit shqiptar dhe e dinim se do të na sulmonte me shumë forca përpara.

besmir shabani

Në disa situata na mungoi përqendrimi dhe në këto fusha, një moment gabim të ndëshkon menjëherë. Kishim shumë shanse dhe jam i dëshpëruar që nuk morëm trepikëshin. Kampionati është i gjatë dhe po paraqitemi mirë nga ndeshja në ndeshje. Jemi ekip i ri dhe duhet të rritemi, të jemi më të përqendruar sidomos kur kalojmë në avantazh. Shpesh kemi kaluar në epërsi, por nuk kemi ditur ta administrojmë siç duhet rezultatin. Duhet të punojmë fort që ta ndryshojmë këtë”, u shpreh trajneri Shabani pas barazimit në Kukës.

PANORAMASPORT.AL