Kryesojnë kampionatin, por kuqeblutë e Vllaznisë pësojnë shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2025 | 22:45

Kryesojnë kampionatin, por kuqeblutë e Vllaznisë pësojnë shumë

Gjatë gjithë historisë së saj skuadra e Vllaznisë nuk është shquar kurrë për futboll mbrojtës apo mbrojtje të forta. Me shkodranët që gjithmonë si kryefjalë të stilit të tyre kanë pasur sulmin dhe shënimin e golave. E një “traditë” e tillë ka vijuar në vite për kuqeblutë, ku edhe në sezonin aktual falë stilit që aplikon skuadra është një nga ekipet që pëson më shumë gola.

vllaznia-dinamo

Kështu në 11 javë kampionat deri më tani, skuadra veriore ka pësuar 9 gola në portën e saj. Duke qenë kështu ekipi që ka pësuar më shumë në krahasim me skuadrat e tjetra pretendente. Ku Dinamo që ka pësuar 5 gola mban edhe mbrojtjen më të mirë e ndërsa 6 gola ka pësuar Elbasani dhe 7 të tillë ka pësuar Egnatia. Pra, nga ekipet e kreut është skuadra e Martinit që ka qenë më e ndëshkuara, me trajnerin shkodran që shpesh e ka theksuar këtë “defekt” të skuadrës së tij.

Por, që patjetër futbolli sulmues që aplikon skuadra, bën që të ketë “deficite” në prapavijë, që dërgojnë edhe në pësimin e golave. Megjithatë duhet theksuar se 3 nga 9 golat e pësuar kanë ardhur në humbjen 3-1 ndaj Dinamos në javën e dytë të edicionit. Teksa skuadra ka pësuar 2 gola në fitoret 4-1 ndaj Partizanit dhe 3-1 ndaj Tiranës e po ashtu ka pësuar 3 gola në barazimet 2- 2 ndaj Egnatias dhe 1-1 ndaj Teutës.

E në këtë mënyrë situata “zbutet” disi pasi kuqeblutë pavarësisht se kanë pësuar gola kanë arritur të marrin pikë të rëndësishme që aktualisht i mbajnë në krye të kampionatit. Pavarësisht se gjatë kësaj periudhe ku kampionati do jetë pushim, një vëmendje kryesore në kampin kuqeblu do marrë pikërisht përmirësimi i mbrojtjes. Në mënyrë që skuadra të pësojë sa më pak gola në javët e ardhshme, ku edhe kampionati do hyjë në një fazë të “nxehtë” të tijën.

PANORAMASPORT.AL