Koment/ Pesë vite Ligë Unike, pak magji dhe shumë pikëpyetje
Rreth pesë vite më parë, Shqipëria dhe Kosova firmosën marrëveshjen për zhvillimin e Ligës Unike, një kompeticion historik që synonte të bashkonte dy vendet përmes basketbollit. Megjithatë, ky sport karakterizohet nga një disnivel i theksuar mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në radhët e meshkujve. Klubet kosovare operojnë me buxhete që arrijnë deri në miliona euro, ndërsa në Shqipëri, në mungesë të një ligji favorizues për sponsorizimet, ekipet luftojnë për mbijetesë.

Këto diferenca janë reflektuar qartë edhe në parket, pasi të gjitha edicionet në kategorinë e meshkujve kanë prodhuar finale mes skuadrave të Kosovës. Në anën tjetër, në basketbollin e femrave është vënë re një ekuilibër më i madh, me tre tituj të fituar nga ekipet e Kosovës dhe dy nga skuadrat e Shqipërisë. Megjithatë, përtej garës sportive, Liga Unike ka sjellë edhe një sërë problematikash, të cilat jo vetëm që nuk janë zgjidhur me kalimin e sezoneve, por përkundrazi janë thelluar. Kryesisht bëhet fjalë për aspektin organizativ, i cili ka lënë shumë për të dëshiruar dhe ka zbehur ndjeshëm prestigjin e një eventi që në fillim u prezantua me jehonë të madhe, por që në realitet ka ofruar një panoramë zhgënjyese.
PROBLEMATIKAT
Që në krijimin e saj, Liga Unike shfaqi menjëherë vështirësitë e para, kryesisht nga skuadrat shqiptare. Të vendosura përballë kufizimeve financiare dhe me buxhete modeste, disa prej tyre u tërhoqën herët, duke shkuar deri në bojkot, pasi nuk mund ta përballonin pjesëmarrjen në një kompeticion ku shanset për sukses ishin minimale. Kjo situatë çoi madje edhe në anulimin e sezonit 2022-2023. Si reagim, Federata Shqiptare e Basketbollit vendosi ta bëjë të detyrueshme pjesëmarrjen e ekipeve. Liga vazhdoi, por problemet jo vetëm që nuk u zhdukën, përkundrazi u shtuan, gjë që u konfirmua edhe në edicionin e fundit, të mbyllur dy ditë më parë dhe të fituar nga Golden Eagle Ylli.
LËMSH ME KALENDARIN
Mungesa e seriozitetit reflektohet që në axhendën e ndeshjeve, duke mos u respektuar kalendari, i cili shpesh është shndërruar në një lëmsh organizativ që nga javët e para. Pra, takimet janë zhvilluar në mënyrë të çrregullt, pa respektuar axhendën e përcaktuar. Një tjetër problem lidhet me standardet e dyfishta, pasi në Kosovë rezultatet e ndeshjeve të kampionatit mes ekipeve vendase njiheshin edhe për Ligën Unike, ndërsa në Shqipëri nuk aplikohej e njëjta praktikë. Kjo krijoi konfuzion dhe e ktheu kompeticionin si një garë me dy rregullore të ndryshme.
BOJKOTET NË MODË
Një fenomen shqetësues ka qenë edhe bojkotimi i ndeshjeve, i përsëritur si në kategorinë e meshkujve ashtu edhe në atë të femrave. Janë regjistruar disa takime të pa zhvilluara, si në sezonin e rregullt, ashtu edhe në fazën “Final Four”, me rezultate të vendosura në tavolinë. Rasti më domethënës është ai i Besëlidhjes, kampiones së Shqipërisë, e cila për të dytin vit radhazi fitoi medaljen e bronzit në tavolinë, pasi kundërshtarët nga Kosova nuk u paraqitën në parket për finalen e vogël. Ky është një tregues i qartë i mungesës së seriozitetit dhe respektit ndaj garës dhe kundërshtarit. Pra, përtej spektaklit të fishekzjarrëve që shoqëron tradicionalisht fazën “Final Four”, Liga Unike mbetet shumë larg pritshmërive fillestare dhe “magjisë” që premtoi në nisje. Nëse vijon të organizohet në këtë formë, ky kompeticion rrezikon të mos i shërbejë realisht zhvillimit të basketbollit, duke u perceptuar më shumë si një aktivitet formal sesa një event me vlera të mirëfillta sportive. Duke shpresuar që Liga Unike të mos mbahet artificialisht nga faktorë të jashtëm për qëllime të paqarta, mbetet dëshira që ajo të reformohet dhe të bëhet vërtet “unike” në aspektin pozitiv, duke rikthyer besueshmërinë, seriozitetin dhe interesin e sportdashësve në të dy vendet.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













