Klubi izolon skuadrën/ Gjyqtarët i bëhen hall më vete Bylisit dhe Josës
Ballshiotët kanë pasur problem mungesash dhe dëmtimesh në ndeshjet e fundit, pasi janë disa lojtarë titullarë që kanë detyruar trajnerin Mirel Josa dhe stafin e tij, që të bëjnë lëvizje të detyruara në 11-she. Duke nisur që nga Koxhi me dëmtim, apo dhe Bruno, që po zgjasin, pa harruar edhe Markun së fundmi, apo Sulovarin.

Mirëpo, ashtu si dhe dëmtimet, në javët e fundit në kampionat, Bylisit i janë bërë “hall më vete” edhe gjykimet, teksa edhe së fundmi ndaj Vorës, u pa qartë se goli që iu anulua mallakastriotëve ishte mëse i rregullt, sepse Olavio, kur ka shënuar është në pozicion të rregullt, duke i vjedhur kohën dy mbrojtësve vorakë që e markonin.
Gjithçka ndodhi në të 45’+12 , kur Pedro sulmon nga e majta, harkon në shtyllën e dytë ku Olavio shtyn topin në rrjetë. Ballshiotët festojnë por gjyqtari sinjalizon për pozicion jashtë loje, ndërsa kërkohet ndërhyrja e VAR-it i cili konfirmon vendimin e fushës. Në fakt, goli nuk duhej anuluar dhe kanë gabuar si gjyqtari ashtu edhe VARi, sepse pozicioni dukej i rregullt, i të dy lojtarëve vendas që marrin pjesë në aksion! Ballshiotët kanë kontestuar gjykimet, madje duke bërë edhe vetë moiolën, sidomos në sfidat e luajtura në Durrës, apo dhe në Elbasan, ku janë dëmtuar haptazi. Edhe ky rast me Vorën lë shije të hidhur, sidomos për fazën ku ndodhet gara dhe synimin për mbijetesë që ka Bylisi. Madje, drejtuesit kanë depozituar edhe ankesë, pas ndeshjes në Durrës.
Nga dje e gjithë vëmendja është përqendruar te sfida e radhës, sepse tashmë dueli i parë i fazës së katërt dhe të fundit të këtij seozni është me Tiranën, në kryeqytet. Ballshiotët nuk kanë më kohë për të humbur dhe duke qenë se në Kupë janë eliminuar, synimi është që të ruajnë pozitat aktuale në kampionat.
Jo më kot, që presidenca ka vendosur që në bashkëpunim me trajnerin Mirel Josa dhe stafin, ta mbajnë ekipin të grumbulluar në këto sfida delikate, strategji që duket se ka dhënë frytet e veta, ku në 3 javët e fundit, skuadra ka grumbulluar 7 pikë mjaft të rëndësishme për objektivin mbijetesë, megjithatë dy sfidat e radhës janë vendimtare për skuadrën e Josës. Fillimisht ajo me Tiranën në kryeqytet e cila luhet në “Selman Stërmasi”, ditën e shtunë ora 15:00, e një javë më vonë me Flamurtarin në Ballsh.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













