Klubet shqiptare në krizë financiare, Duka u zgjidh telashet në vitin e zgjedhjeve: Nga janari u shpërndajmë 3 milionë euro
Shumë nga klubet e elitës në futbollin shqiptar po përballen me krizë financiare dhe me detyrime ndaj lojtarëve dhe ish-lojtarëve, të cilat kanë sjellë edhe bllokimin e merkatos së tyre. Por zgjidhja i ka ardhur nga FSHF, e cila do t’u shpërndajë para klubeve të Superiores dhe Kategorisë së Parë.

“Kjo mbrëmje u takon edhe atyre që mbajnë peshën e garës çdo javë: klubeve tona. Pikërisht për këtë arsye, angazhimi që mora në Asamblenë e FSHF-së këtë vit nuk është më thjesht një fjali në procesverbal, por është kthyer në realitet konkret:
3 milionë euro do t’u shpërndahen klubeve të kategorisë “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, duke nisur nga fillimi i vitit 2026. Një investim ky, që do të ndihet në çdo klub, në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje”, tha presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë mbrëmjes gala të “Topit të Artë”.
Një situatë që padyshim do të ndihmojë disa klube me probleme të mëdha, duke zgjidhur situatën e tyre në vitin 2026. Ky është vit vendimtar për futbollin shqiptar, duke pasur parasysh se gjatë tij do të mbahen zgjedhjet për drejtuesit më të lartë të FSHF-së, presidentin dhe Komitetin Ekzekutiv.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













