Klop: Me Bajerin mungojnë edhe Humels e Ramos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2014 | 18:00

Klop: Me Bajerin mungojnë edhe Humels e Ramos

KlopJoakim Vacke dhe Jyrgen Klop janë të lumtur që “Puma” dhe “Evonik” do të jenë aksionerët më të mëdhenj të klubit, por edhe që stadiumi do të vazhdojë të mbajë emrin “Signal Iduna Park”, pas rinovimit të kontratës me sponsorin ditën e enjte deri në vitin 2026. Por trajneri i Dortmundit nuk është aspak i kënaqur nga lajmet që po vijnë nga infermieria në prag të ndeshjes së parë me Leverkusenin. Pas dëmtimit të Kirshit (8 javë) dhe Ji (4 javë), Klop do të luajë nesër ndaj “aspirinave” edhe pa kapitenin Mats Humels dhe sulmuesin Adrian Ramos. “Rasti i Ramosit nuk është dramë. Ai ka një dëmtim të lehtë në gju dhe do të mungojë këtë javë. Ndërsa Humelsi nuk është ende në kondicion për të luajtur pas Kupës së Botës. Shahin dy ditë më parë kreu seancën e parë stërvitore. Ndërsa Gyndogan vuan nga një gjendje gripale dhe ka ndërprerë për disa ditë stërvitjen. Nëse kam harruar ndonjë në listë, i kërkoj ndjesë dhe i uroj shërim të shpejtë”, tha me humor 47-vjeçari. Lidhur me kundërshtarin, ai shtoi: “Leverkuseni ka qenë këto vite një nga kundërshtarët më të fortë. Duam të bëjmë një superndeshje, sepse e nisim me një rival fantastik”.