Kërnaja plot dilema, ndryshon sërish Partizanin. Tetova i qartë për zgjedhjet tek Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2025 | 9:38

Kërnaja plot dilema, ndryshon sërish Partizanin. Tetova i qartë për zgjedhjet tek Egnatia

Partizani dallon me formën e tij, që është më e mira ndër ekipet e tjera të Superiores. Me Oltijon Kërnajën janë harruar vështirësitë e gjashtë javëve të para. Tashmë është përpara ndeshja me Egnatian, që po ashtu po bën mjaft mirë duke u pozicionuar në vend të dytë pas Elbasanit.

partizani-egnatia

Të kuqtë duhet të sfidojnë në transfertë një rival, që i ka larguar dy herë nga titulli kampion në vitet e fundit dhe po ashtu nga Kupa e Shqipërisë. Mungesat nuk mungojnë, ndërsa nuk bëhet fjalë vetëm për dëmtimet. Gudjufi po ashtu nuk qëndron i gatshëm, pasi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do qëndrojë i pezulluar. Në anën tjetër lajmi më i mirë është rikthimi i Ismailit, pas pëzullimit për shkak të kartonëve. Dilemat te Kërnaja mbeten, pasi edhe Babukar Jata që luajti nga minuta e parë përballë Flamurtarit u dëmtua. Kështu ndryshimet janë të pashmangshme.

FORMACIONI

Qirko në portë dhe Marku, Bytyçi dhe Atanaskoski shikohen të padiskutueshëm. A do të kthehet Janjeva pas virozës, apo Sembene do mbajë vendin që mori ndaj Flamurtarit? Një dilemë që ka nevojë për zgjidhje, që të kompletohet reparti i prapavijës.

Nuk do të jetë çudi nëse të dy e nisin nga fillimi dhe lëvizjet ndodhin në mesfushë. Logjika të dërgon te Mehmeti që e nis nga minuta e parë, bashkë me Ismailin dhe Hjumen. Kote dhe Shanaj mbeten po ashtu në balotazh me shokët e mesfushës për një vend në formacion. Reparti ofensiv, njësoj siç ndodh prej disa javësh, është në dorën e Isgandarlit dhe Tomës.

Screenshot 2025-12-19 093558

Të kuqtë, kundërshtarë të sikletshëm për rrogozhinasit

Përballjet mes Egnatias dhe Partizanit janë kthyer në një nga duelet më të balancuara të Superiores shqiptare. Statistikat e viteve të fundit tregojnë qartë se mes këtyre dy skuadrave kur luhet në Rrogozhinë nuk ka dominim, por rivalitet dhe baraspeshë të plotë, si në rezultate ashtu edhe në gola. Në 12 ndeshjet e fundit direkte, të dy ekipet kanë regjistruar nga 4 fitore secila, ndërsa 4 takime janë mbyllur në barazim.

Edhe bilanci i golave është identik, me 10 gola të shënuar për secilën skuadër, një tregues i qartë i ekuilibrit që ka karakterizuar këto përballje. Egnatia ka ditur të shfrytëzojë faktorin fushë, duke arritur fitore bindëse në Rrogozhinë, përfshirë suksese si 3-0 dhe 2-0, ndërsa ka marrë edhe rezultate pozitive përballë një rivali tradicionalisht të fortë. Nga ana tjetër, Partizani ka treguar se di të jetë i rrezikshëm edhe në transfertë, me fitore të pastra si 3-0 dhe 2-0, duke konfirmuar se përballjet ndaj Egnatias janë gjithmonë të hapura.

Një element tjetër domethënës është numri i lartë i barazimeve, përfshirë edhe dy ndeshje të mbyllura pa gola, çka tregon për përballje taktike, të kujdesshme dhe shpesh të vendosura nga detajet. Zakonisht, këto ndeshje prodhojnë pak gola dhe shumë luftë sportive, duke e bërë çdo takim të paparashikueshëm. Në prag të çdo dueli mes Egnatias dhe Partizanit, statistikat sugjerojnë një ndeshje të fortë, të balancuar dhe pa favorit të qartë. Historia e përballjeve të fundit tregon se çdo rezultat është i mundur dhe se vendimet shpesh vijnë nga momentet individuale apo gabimet minimale.

Screenshot 2025-12-19 093537

PANORAMASPORT.AL