Kërnaja ndryshon Partizanin, mungon thuajse gjysma e ekipit nga derbi i fundit me Tiranën
Partizani mban shijen e hidhur të dy ndeshjeve të fundit me Tiranën. Humbjet 3 me 0 nuk harrohen lehtë nga tifozët, për këtë të kuqtë do kërkojnë që ta mbyllin vitin me pak gëzim. Oltijon Kërnaja duhet të kthejë Partizanin te fitorja në derbi, që mungon nga prilli i vitit 2024. Nuk do të jetë aspak e lehtë.

Paraardhësi Milinkoviç rrezikoi duke bërë disa ndryshime, që nuk dhanë rezultat bë sfidën më të rëndësishme për tifozët. “Panorama Sport” ka skicuar formacionin e mundshëm, ndërsa mbetet për t’u parë a do ketë surpriza nga Kërnaja. Fakt është se ndryshimet projektohen të shumta nga hera e fundit.
FORMACIONI- Qirko është titullar i padiskutueshëm dhe garanci për portën. Në mbrojtje mbetet për t’u vlerësuar gjendja e Sembenes, në të kundërt do e nisin Marku, Bytyçi, Janjeva dhe Atanaskoski nga minuta e parë. Mesfusha pritet të përbëhet nga Ismaili, Doumbia dhe Mehmeti. Hjumen do të ketë për detyrë që të mbështesë dyshen e sulmit, Toma dhe Isgandarli. Partizani do të zhvillojë sot seancën e fundit stërvitore ku do të vuloset çdo gjë për formacionin.
MEHMETI- Te Partizani ndaj Bylisit mungoi vetëm një lojtar, për shkak të virozës dhe që ishte projektuar titullar. Bëhet fjalë për Adnard Mehmetin. Mesfushori prit të jetë i gatshëm ndaj Tiranës. Përndryshe Kërnaja mund të ndryshojë edhe rreshtimin. Zgjedhja surprizë në herën e kaluar ishte aktivizimi i Bintsukës në vendin e Mehmetit.
DEBUTIMET- Me siguri mund të thuhet se do të ketë debutime për Partizanin në derbi. Lojtarë si Arafat Doumbia dhe Vusal Isgandarli janë emrat që shikohen nga minuta e parë në fushë. Nga ana tjetër ndodhen Malaj, Kontreras dhe Kola, që të paktën nga stoli presin mundësinë e tyre. Sulmuesi kolumbian është treguar vendimtar përballë Teutës dhe me Bylisin, ndërsa shikohet si njeriu i momentit te Partizani.
NDRYSHIMET- Mladen Milinkoviç e pati ndeshjen e fundit me Tiranën. Më pas edhe u shkarkua, për shkak të katër humbjeve radhazi. Ish-trajneri i Partizanit befasoi në derbi duke pasur disa ndryshime nga sfida me Bylisin. Në Ballsh luajtën nga minuta e parë Vusal Isgandarli, Adnard Mehmeti dhe Paulo Buxhelaj.
Vendin e tyre e morën respektivisht Nebi Qokthi, Gjergji Kote dhe David Atanaskoski. Të dyja ndeshjet u humbën me rezultate të thella. Në derbin e fundit ndërkohë luajtën Alban Hoxha, Marçelino Preka, Xhudah Garsia dhe Arshonazh Bintsuka. Asnjë prej tyre nuk pritet titullar të dielën. Padyshim që nga hera e fundit ndaj Tiranës, Partizani do të ketë ndryshime të shumta në formacion. Projektohen deri në gjashtë titullarë, që Kërnaja do preferojë ndryshe nga Milinkoviç.

PANORAMASPORT.AL













