Kërkesat e trajnerit të ri, Ribaj tregon punën e Morieros te Flamurtari: Partizanin e mundim me ndihmën e tifozëve
Flamurtari mposhti Naf tëtarin dhe u kuali fikua për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, por festa zgjati vetëm një ditë. E gjithë vëmendja është tek dita e diel me Partizanin. Andi Ribaj thotë se kualifikimi ishte detyrim. Ish-sulmuesi, aktualisht zëvendëstrajner i Flamurtarit, gjatë një prononcimi për mediat thekson se ndeshja u vlerësua me seriozitet.

“Me Naftëtarin ishte një ndeshje e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Ne e kishim vlerësuar maksimalisht për ta kaluar këtë tur të parë. Të gjithë jemi të gëzuar që fituam, por kjo ishte një ndeshje kupe, siç e thashë, dhe tashmë duhet të shikojmë përpara për kampionatin. Normalisht që jemi të lumtur që e kaluam, duke bërë detyrën, pasi i vlerësojmë me seriozitet dhe përkushtim edhe këtë kompeticion, pse jo, të shkojmë sa më larg”, shprehet fillimisht Ribaj.
PËR TRAJNERIN
Andi Ribaj zbulon edhe ditët e para, si dhe kërkesat e trajnerit të ri, Françesko Moriero. Ribaj thotë se trajneri italian ka idetë e tij, ndërsa rëndësi të veçantë po i kushton përgatitjes taktike. “Trajneri Françesko Moriero dhe stafi janë të rinj. Ai ka ide të reja dhe është munduar që gjatë këtyre ditëve, që ka qenë edhe pauza e kampionatit për shkak të Kombëtares, të punojë për të futur idetë e tij në kokën e lojtarëve. Ka pasur pak ditë në dispozicion për këtë gjë. Dua të them se Moriero ka punuar më shumë taktikisht me ekipin. Pra, i ka kushtuar më shumë rëndësi anës taktike, ku patjetër po injekton tek skuadra filozofinë e tij”, shprehet ishsulmuesi.
NDESHJA ME PARTIZANIN
Numri dy i pankinës vlonjate, Andi Ribaj, flet edhe për ndeshjen me Partizanin. Ishsulmuesi e parashikon një sfidë të vështirë, por sipas tij, i vetmi objektiv i Flamurtarit është fitorja. “Partizani është një ekip me traditë. Parashikoj që do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Partizanin ne e presim në shtëpinë tonë dhe shpresojmë që të bëjmë maksimumin për të arritur tri pikët në këtë ndeshje që do të jetë shumë e rëndësishme dhe e luftuar. Ftojmë tifozët që të na mbështesin në këtë takim. Ata janë arma jonë e fortë dhe i falënderojmë që na qëndrojnë gjithmonë pranë”, përfundon Ribaj.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













