Kërcënohet Agim Canaj, zbardhen prapaskenat e ngjarjes
Vllaznia nuk gjen qetësi. Edhe pse skuadra po mbyll një sezon të mirë dhe e ka siguruar praktikisht rikthimin në Superiore, në Shkodër rikthehet “sëmundja” e vjetër e kërcënimeve të trajnerëve dhe drejtuesve. Këtë herë, pre e kërcënimeve ka rënë trajneri aktual i skuadrës, Agim Canaj, ndërsa nuk janë kursyer edhe drejtuesit e klubit, administratori, Suad Lici dhe drejtori sportiv, Engin Firat.

Situata- Vetëm një javë më parë, administratori i Vllaznisë, Suad Lici gjatë fjalës së tij përpara Këshillit Bashkiak që është njëkohësisht edhe Asambleja e Përgjithshme e klubit, bëri të ditur hapur kërcënimin që kanë marrë ata si drejtues.
“Ne kemi bërë një marrëveshje me akademinë më të njohur në Nigeri dhe kemi shkuar atje për të bërë atë marrëveshje kur në Shkodër ishim nën trysninë e kallashnikovit dhe këtë nuk e kemi bërë për shtëpitë tona, por vetëm për Vllazninë”, tha ndër të tjera Lici në fjalën e tij. Administratori u bëri të ditur anëtarëve të Asamblesë se situata në skuadër nuk është aspak e qetë. Dhe gjithçka plasi ditën e djeshme. Ekipi nuk e ka zhvilluar seancën e parashikuar gjatë paradites, ndërsa mësohet se trajneri Agim Canaj ka marrë kërcënime për përfshirjen në formacion apo grumbullimin në ekip të lojtarëve të ndryshëm.
Burimet saktësojnë se kërcënimet për përfshirjen e lojtarëve të dnryshëm në formacion kanë nisur që përpara sfidës së kaluar me Besëlidhjen. Në këtë situatë alarmante, tekniku e ka pasur të pamundur që të vazhdojë normalisht stërvitjen. Kryebashkiakja e Shkodrës, e cila është njëkohësisht edhe presidente e skuadrës, Voltana Ademi, ka thirrur në takim drejtuesit e klubit dhe trajnerin Agim Canaj, ndërsa ka vendosur që stërvitja të mos zhvillohet. Tekniku u ka thënë drejtuesve se e ka pasur të vështirë që të vazhdonte punën në këtë situatë. Por, drejtuesit e klubit kanë arritur që të bindin teknikun për të vazhduar punën. Mësohet se palët kanë zhvilluar edhe një takim tjetër pasdite, ndërsa trajneri Canaj ka marrë garanci maksimale për vazhdimin e punës.
CANAJ – Trajneri Canaj u prezantua në krye të Vllaznisë më 26 mars(8 ditë më parë), ndërsa e nisi aventurën e tij me fitoren e thellë 4-0 ndaj Besëlidhjes në ndeshjen e së dielës së kaluar. Me këtë 3- pikësh, shkodranët janë +14 pikë nga vendi i dytë, ndërsa në klub kanë nisur të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Por, trajneri Canaj ka hasur në kërcënime nga “të fortët” e Shkodrës, të cilët i kanë kërkuar atij përfshirjen e lojtarëve të ndryshëm në ekipin e parë apo që të kenë më shumë hapësirë në vazhdim.
/PANORAMASPORT.AL/













