Kërcënimet tek Vllaznia, Ademi: Ka presion kriminal, ja pse nuk është shitur klubi
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, foli pas kërcënimeve tek Vllaznia, ku vetëm ditën e djeshme, trajnerit Agim Canaj, dhe drejtuesve të tjerë iu bë presion, për përfshirjen e lojtarëve të ndryshëm në ekipin e parë.

Ditën e sotme, në një intervistë për “A2 CNN”, kryebashkiakja Ademi theksoi se kjo situatë, vjen pas preisionit dhe interesave politike e kriminale.
“Fakti që ne po rritemi dhe po përgatitemi për të qenë konkurrues, për shkak se Vllaznia është e Shkodrës. Besoj që me kalimin e kohës do të mund të tregohet për vështirësitë që klubi ka pasur, do të kuptohet që interesa politike dhe kriminale kanë diktuar edhe mungesën e performancës, duke filluar nga drejtuesit e deri tek ata që luajnë në fushë” – u shpreh Ademi.
Kryetarja e Bashkisë pranoi se ka kërkuar rinisjen e procedurave për privatizimin e klubit, pasi nuk e kishte bërë këtë gjatë kohës që skuadra ishte në Kategorinë e Parë, për të shmangur keqkuptimet se ulja e performancës ishte bërë për të ulur çmimin e aksioneve: “Nuk doja që të kishte aludime dhe nuk e kam shtyrë këtë për sa kohë që ishim në Kategorinë e Parë. Vllaznia është ndoshta i vetmi klub i formalizuar sipas ligjit në Shqipëri. Ka disa detyrime por është ndër klubet më të shëndosha në aspektin financiar”.













