Kërcënimet te Vllaznia, Agim Canaj përfundon në… Angli
Vllaznia rinis përgatit jet. Pas ndërprerjes dyditore të procesit stërvitor, skuadra më në fund i është rikthyer fushës së blertë. Kërcënimet janë hedhur pas krahëve dhe lojtarët kanë nisur që të punojnë për ndeshjen e radhës, të cilën do ta luajnë më 13 prill kundër Erzenit në transfertë. E megjithatë, ajo që ra në sy ishte mungesa e Agim Canajt. Trajneri nuk ka qenë i pranishëm dhe seanca është drejtuar prej Safet Osjas dhe Ideal Lekiqit.

Zyrtarisht, në klub thonë që vlonjati i emëruar vetëm pak ditë më parë në krye të kuqebluve ka marrë leje. Ai ka udhëtuar në drejtim të Anglisë për arsye personale, duke përfituar edhe nga pushimi që kalendari i ka rezervuar këtë fundjavë. Nga sa mësohet, 56-vjeçari ka shkuar te vajza e tij, e cila jeton në Angli, ndaj edhe është shkëputur për disa ditë. Dilemat për këtë mungesë janë realisht të mëdha, por nuk përjashtohet as mundësia që të jetë rastësore që largimi i Canajt nga Shqipëria erdhi pikërisht pas kërcënimeve. Ndaj, mbetet që të shihet në ditët e ardhshme nëse tekniku ka vërtet një problem personal apo ka lënë drejtimin e Vllaznisë.
NGJARJA – Kujtojmë se kjo situatë kaotike ngjau fill pas ndeshjes me Besëlidhjen. Skuadra në fushë bëri një paraqitje shumë të mirë, duke fituar me rezultatin e thellë 4-0 dhe hedhur hapin e madh për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Por, posttakimi nuk ka qenë aq i qetë. Në fund të asaj sfide, mësohet se Agim Canaj ka marrë kërcënime të rënda për mosaktivizimin e lojtarëve të veçantë në atë ndeshje. Gjithashtu, i është dhënë ultimatum që të afrojë në ekipin e parë futbollistë të veçantë. Tekniku është tronditur shumë nga e gjithë kjo situatë, ndërsa mësohet se ka vënë në dijeni drejtuesit e klubit. Në lidhje me këtë gjendje është njoftuar edhe kryebashkiakja e Shkodrës, e cila është njëkohësisht presidente e klubit, Voltana Ademi. Canaj ka menduar dorëheqjen nga posti, duke e pasur shumë të vështirë që të vazhdonte punën nën një presion të tillë. Ka qenë Ademi ajo që në takimet që ka zhvilluar me të ditën e mërkurë e ka bindur që të vazhdojë punën dhe të mos largohet nga stoli i Vllaznisë.
KLUBI – Nga sa mësohet, deri në fundjavë klubi do të marrë masat e nevojshme që të mos përsëriten më probleme të tilla. Ka qenë vetë kryebashkiakja Voltana Ademi që ka vendosur “veton” për këtë pjesë, duke garantuar se do të marrë masa parandaluese që puna e stafit teknik dhe ekipit Vllaznia të mos cenohet nga askush. Në klub madje theksojnë se Agim Canaj ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar detyrën e nisur në Shkodër. Gjithashtu, sqarojnë se tekniku vlonjati nuk e ka menduar në asnjë moment largimin, pavarësisht presioneve të marra













