Kërcënim me bojkot, tifozët i dalin kundër Bashkisë dhe klubit
Tifozët e Lushnjës njihen për pasionin dhe mbështetjen ndaj skuadrës së tyre. Gjithsesi, në këtë sezon ata kanë qenë shumë të pakët. Ky sezon do të mbahet mend për numrin më të ulët të tifozëve nisur edhe nga fakti që stadiumi “Roza Haxhiu” është dënuar dy herë nga katër javë.

I vetmi grupim që mbështet skuadrën është tifo-grupi “Delegatët”. Grupimet e tjera mungojnë në stadium prej vitesh. Por, edhe ky grupim i themeluar 7 vjet më parë ka paralajmëruar një bojkot për sezonin e ardhshëm.
Nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në “Facebook”, kryesia e “Delegatëve” ka parashtruar disa kërkesa ndaj bashkisë dhe në rast se ato nuk plotësohen, ata do të bëjnë bojkot.

ULTIMATUMI
“Pas mbledhjes së datës 24 mars, Kryesia e ‘Delegatëve’ ka vendosur t’i bëjë një kërkesë direkte Bashkisë Lushnjë. Kjo kërkesë është e ndarë në 3 pika:
1. Duke filluar nga sezoni 2019-2020, krijimin e një ekipi kompetitiv që të arrijë ngjitjen direkt në Superiore.
2. Rikonstruksionin e anekseve sportive pranë stadiumit që t’i shërbejë ekipit të parë dhe grup-moshave.
3. Pjesëmarrjen në sh.a edhe të bizneseve lushnjare. Në të kundërt, ‘Delegatët’ paralajmërojnë bojkot total për sezonin e ardhshëm”, thuhet në kërkesën e tifo-grupit drejtuar bashkisë.













