Katër vende në Europë falë Partizanit, por ky ishte edicioni më i dobët nga të “kuqtë” në 5 vite
Partizani ishte i pari që e mbylli rrugëtimin në Europë për këtë sezon, duke u eliminuar që në turin e parë nga estonezët e Kaljus. Një largim i papritur ky i “Demave” nga skuadrat e Superiores.
Në fakt, edhe pse viti aktual rezultoi zhgënjyes, është pikërisht Partizani që ka ndërtuar një pjesë të madhe të koeficientit të Shqipërisë në pesë sezonet e fundit. Kështu, është kthyer edhe në faktorin kryesor pse Shqipëria vijon të ketë katër klube në arenën ndërkombëtare.
Duke qenë në vendin e 45-të nga 55 federata europiane gjithsej, një vend qëndron në rrezik. Sipas sistemit të koeficientëve të UEFA-s, që llogarit pikët e grumbulluara nga klubet në një periudhë 5-vjeçare, Shqipëria ka aktualisht një total prej 26 pikësh të grumbulluara në 5 edicionet e fundit. Këto pikë ruajnë momentalisht mundësinë për të pasur katër vende edhe në vitet e ardhshme. Një pjesë e madhe e këtij totali, ekzaktësisht 10.5 pikë, është arkivuar nga Partizani. Për këtë, klubi kryeqytetas ka statusin e kontribuesit më të madh në përfaqësimin e vendit në Europë.
RRUGËTIMI- Në sezonin 2021-22, Partizani mori pjesë në Ligën e Konferencës duke kaluar turin e parë kundër moldavëve të Sfantul Gheorghe, ndërsa u eliminua më pas nga Bazeli. Nga ky sezon, të kuqtë morën dy fitore, që përkthehen me 2 pikë në llogaritjen e UEFA-s. Viti 2022 shënoi një sezon të shkurtër dhe me vetëm 1 pikë për Partizanin. Në turin e parë të Ligës së Konferencës, të kuqtë u eliminuan nga Saburtalo i Gjeorgjisë përmes penalltive, pasi më parë kishin fituar minimalisht në transfertë.

Në edicionin 2023-24, Partizani i shpallur kampion e nisi në Ligën e Kampioneve, ku u përball me BATE Borisov. Pavarësisht barazimit në “Air Albania”, humbja në transfertë solli eliminimin. Në vijim, klubi kaloi në Ligën e Konferencës, ku eliminoi me nga dy fitore Atletik Eskaldesin dhe Valmieran. Më pas, u ndal vetëm në “play off” përballë Astanës. Nga ky edicion, Partizani arkivoi 4 fitore dhe 2 barazime, për një total prej 5 pikësh. Pikërisht ky është edhe kontributi më i madh i një klubi shqiptar në një sezon të vetëm gjatë kësaj periudhe. Në verën e kaluar, të kuqtë nisën sërish në Ligën e Konferencës.
Në turin e parë eliminuan Marsaxlok të Maltës pas një barazimi dhe fitores në transfertë, por u skualifikuan më pas nga Iberia e Gjeorgjisë në turin e dytë. Edhe pse nuk arritën të kalonin më shumë se një kundërshtar, nga dy turet u larguan me 2 pikë. Këtë sezon, Partizani u eliminua që në turin e parë nga Kalju. Nuk u regjistrua asnjë fitore dhe u përfitua vetëm 0.5 pikë nga barazimi në Talin. Një edicion mjaft negativ për llogaritjet e së ardhmes, që do të rëndojë në koeficient për vitet e ardhshme.
NDIKIMI- Nga viti 2021 deri më sot, Partizani ka marrë pjesë në 20 ndeshje europiane, si asnjë skuadër tjetër e Superiores. Fakt është po ashtu se që nga krijimi i Ligës së Konferencës, Partizani është skuadra e vetme shqiptare që merr pjesë rregullisht. Bilanci i të kuqve ka sjellë nga Europa tetë fitore, shtatë humbje dhe pesë barazime. Nga ky fakt është prodhuar totali prej 10.5 pikësh në sistemin e UEFA-s. Sigurisht që nuk kanë munguar pengjet, ku i fundit me Kaljun është më i freskëti. Kontributi i Partizanit është më i larti i një klubi shqiptar në këtë periudhë 5-vjeçare, krahasuar me Laçin (4.5 pikë), Vllazninë dhe Egnatian (nga 4 pikë), Tiranën (2 pikë) dhe Teutën (1 pikë). Fakti që Shqipëria vijon të ketë katër vende në garat europiane tregohet drejtpërdrejt e lidhur me këtë performancë. Nëse Partizani nuk do të kishte tetë fitore dhe pesë barazime, koeficienti do të shkonte nën pragun e nevojshëm për të mbajtur katër skuadra në kompeticionet europiane. Duke qenë se sistemi i UEFAs u vendos përparësi rezultateve, ecuria e Partizanit ka qenë vendimtare.

E ARDHMJA- Koeficienti aktual i klubit të kuq për sezonin 2026-27 është 7.5, vlerë e cila përcakton statusin e tij në short. Kjo e vendos Partizanin në një pozicion të favorshëm sërish, për të shmangur skuadrat më të forta. Megjithatë, për të ruajtur këtë avantazh me një projekt afatgjatë, Partizanit do t’i duhet të rikthehet në një rrugëtim më të gjatë sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, për të pasur të sigurt kualifikimin në Europë, Partizanit do t’i duhet si gjithmonë të pozicionohet në tre vendet e para të Superiores ose të fitojë Kupën.
Nëse shpallet kampion, merr pjesë në turin e parë të Ligës së Kampioneve, por një pjesëmarrje në tjetër pozicion do e kthente sërish në Ligën e Konferencës. Përtej këtij sezoni, e ardhmja europiane e futbollit shqiptar është mjaft e rrezikuar. Aktualisht, vetëm Partizani ka treguar qëndrueshmëri dhe ka grumbulluar një koeficient të mjaftueshëm për të ndikuar realisht në klasifikimin e vendit. Nëse klubet nuk arrijnë të fitojnë ndeshje për të kaluar më pas ture, Shqipëria do të rrezikojë realisht humbjen e një vendi në vitet në vijim.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













