Kategoria 2, Grupi B/ Partizani B në perfeksion. Panik në Berat, braziliani i Bylisit thyen brinjët
Java e katërt në Grupin B ka nxjerrë në pah një Partizan B të pathyeshëm, që po udhëheq me autoritet kampionatin me 12 pikë të plota dhe asnjë gol të pësuar. Pas tij, Oriku dhe Bylis B tregojnë se nuk do të heqin dorë lehtë nga gara për kreun.

Në zonën e poshtme, Tomori dhe Eagle janë në një situatë alarmante, mes mungesës së pikëve dhe tifozëve të pakënaqur. Ndërkohë, tensionet dhe episodet e debatueshme, ankthi për dëmtimet nuk munguan në disa sfida të kësaj jave.
Maliqi – Partizani B 0-2
Kryesuesit nuk gabojnë as në transfertë, ku të kuqtë e drejtuar nga trajneri Oltjon Kërnaja mbeten të pamposhtur në kampionat. Në një nga transfertat më të vështira, Partizani B tregoi forcë dhe pjekuri. Pas një pjese të parë të kujdesshme, të kuqtë goditën fort në të dytën me golat e Gjuzi dhe Gogës. Fundi i ndeshjes u tensionua dhe solli nga një karton të kuq për secilën skuadër, Gjuzi në të 85-ën dhe Agolli në të 87-ën, por kryeqytetasit ruajtën avantazhin dhe rezultatin perfekt deri më tani.
Eagle – Butrinti 0-3
Butrinti tregoi sërish se është skuadër me cilësi, duke marrë fitoren e dytë radhazi dhe bindëse në transfertë. Ndeshja u ndërpre për rreth 10 minuta për shkak të protestave dhe ofendimeve ndaj arbitrit, që pretendoi se u ndje i kërcënuar në fushë. Në minutën e 67-të, gjyqtari Dashnor Veizaj ndërpreu ndeshjen duke iu drejtuar dhomave te zhveshjes, ndërsa dy ekipet qëndruan në fushë. Mësohet se shkak u bë debati me Limanin e Eagle, i cili pati ankesa për gjykimin dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Pas 10 minutash konsultimesh, gjyqtari rinis lojën. Pas rifillimit, Butrinti shënoi edhe dy herë të tjera dhe e mbylli takimin me një fitore të pastër. Për Eagle, situata bëhet gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa edhe dëmtimi i rëndë i Limanit shton telashet në skuadër.

Tomori – Bylis B 0-1
Tomori nuk po e gjen dot ritmin në këtë kampionat, duke marrë humbjen e tretë në katër ndeshje dhe duke ngecur në fund të klasifikimit. Nga ana tjetër, Bylis B merr një fitore të pastër dhe shumë të vlefshme në një fushë “të rëndë” si Berati, duke treguar se është pretendent i vërtetë për ngjitje. Takimi ka patur edhe një moment të vështirë, që ka krijuar panik në radhët e të dy skuadrave dhe stafet. Në minutën e 45-të, pas një ndërhyrje të Vrapit, braziliani Bruno mbeti i shtrirë në pistën e stadiumit. Duke parë që nuk lëvizi, u afruan stafet e të dy ekipeve dhe më pas hyri autoambulanca që e shoqëroi në spitalin e Beratit. Atu u konstatua se Bruno kishte thyer dy brinjë. Të premten Bruno u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e Superiores, Flamurtari-Bylis, ndërsa dje e nisi titullar me Bylis B.

Delvina – Shkumbini 1-0
Një moment, piëkrisht goli i Nikollës në minutën e 47-të, i dhuroi Delvinës 3 pikë shumë të rëndësishme. Sfida ishte e fortë fizikisht, me raste të pakta, ndërsa vendasit ruajtën me fanatizëm avantazhin deri në fishkëllimën finale. Delvina konfirmon ritmin e mirë në këtë start sezoni.
Devolli – Oriku 0-1
Një ndeshje e fortë dhe e luftuar, ku Oriku humbi një penallti në fundin e pjesës së parë, por arriti të gjejë golin vendimtar në minutat shtesë. Falë këtij triumfi, skuadra e Orikumit mbetet e pamposhtur dhe e dytë në renditje, me një mbrojtje që ende nuk është thyer në këtë sezon.
Kategoria e Dytë
Grupi B
Java 4
26 tetor, 14:00
Maliqi – Partizani B 0-2
Gjuzi 67’, Goga 73’
Delvina – Shkumbini 1-0
Nikolla 47’
Eagle – Butrinti 0-3
Kordoba 57’, 90+2′, Okoroçuku 90+5’ (aut)
Tomori – Bylis B 0-1
Sulovari 24’
Devolli – Oriku 0-1
Shkreli 90’
Këlcyra – pushim
RENDITJA
TOTALI
Nr EKIPI N P F B H G+/G-
1 Partizani B 4 12 4 0 0 13-0
2 Oriku 4 10 3 1 0 8-0
3 Bylis B 4 10 3 1 0 7-4
4 Butrinti 3 6 2 0 1 6-3
5 Delvina 3 6 2 0 1 7-4
6 Maliqi 3 6 2 0 1 6-5
7 Shkumbini 4 3 1 0 3 4-7
8 Devolli 3 3 1 0 2 2-5
9 Tomori 4 1 0 1 3 2-5
10 Këlcyra 3 1 0 1 2 2-8
11 Eagle 4 0 0 0 4 2-13
Java 5, 2 nëntor
Partizani B – Delvina
Oriku – Maliqi
Bylis B – Devolli
Butrinti – Tomori
Këlcyra – Eagle
Shkumbini – Pushim
A.Dushku/ E.Spahiu- PANORAMASPORT.AL













