Kasa analizon paraqitjen e skuadrës: Elbasani, koha për të folur për objektiva
Elbasani në kor e ka parë si një eksperiencë pozitive atë që kaluan sezonin e kaluar në Superiore, me debutimin që për pak u solli edhe një vend në Europë.
Megjithatë, ajo histori është e mbyllur tanimë dhe tani të gjithë presin tek ajo se çfarë do të prodhojë Elbasani vitin që vjen. Një nga protagonistët e verdhebluve këtë sezon, Arsen Kasa, flet për “Panorama Sport”, duke i bërë një pasqyrim asaj se çfarë ndodhi dhe pritet me elbasanasit këtë sezon.
“Të them të drejtën, ne e kemi harruar atë ndeshje të fundit me Partizanin dhe tani shohim përpara. E di që aty ka mbetur meraku i të gjithëve, por në fund fare nuk duhet të harrojmë se treguam karakter dhe forcë që e dërguam deri aty. Normalisht të gjithë do donim të ishim në Europë, por në përgjithësi do ta quaja një vit të suksesshëm”, u shpreh fillimisht mesfushori elbasanas.
SEZONI I ARDHSHËM – Autori i dy golave këtë edicion, pohon se e ardhmja do të jetë më e mirë. Sipas tij, të gjithë janë më të pjekur dhe kanë fituar një eksperiencë më shumë që do ta vënë në shërbim të skuadrës këtë sezon.
“Sezonin e ardhshëm e shoh Elbasanin në një tjetër stad. Nuk është koha për të folur për objektiva, por tani ne të gjithë jemi më të pjekur dhe diçka kemi mësuar nga gabimet që kemi bërë. Dihet që eksperienca luan një rol të rëndësishëm në një skuadër dhe tani nuk do të jemi më ai ekip i sapongjitur që has vështirësi në elitë. Ky stad është kaluar me sukses dhe tani shpresojmë ta shohim veten në një tjetër pozicion, ku dihet që synimet janë për sa më lart, duke ditur edhe pritshmëritë që ka klubi”, u shpreh më tej autori i 24 ndeshjeve, ku disa javë qëndroi stop për shkak të dëmtimeve të shpeshta.
RIVALITETI – 28-vjeçari ndalet pak edhe te rivaliteti që do të jetë këtë vit, ku sheh se nga Kategoria e Parë do të vijnë ekipe me synime, që normalisht do ta bëjnë më të fortë kampionatin.
“Personalisht e mendoj një sezon të ardhshëm edhe më rivalizues se ky që sapo lamë pas. Ekipet që do të ngjiten si Flamurtari dhe Vora, kemi dëgjuar që nuk u mungojnë investimet dhe do ta bëjnë më të fortë garën. Megjithatë, ne shohim punën tonë dhe nuk na tremb rivaliteti, sepse sa më shumë të ketë, aq më të motivuar jemi të gjithë për të dhënë më të mirën tonë”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën një nga titullarët e skuadrës së Elbasanit, i cili iu bashkua në Kategorinë e Dytë dhe po bën protagonistin edhe në Superiore.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













