Kartonët bëhen problem te Partizani, rrezikojnë 5 lojtarë
Ndeshja e radhës për Partizanin ndaj Flamurtarit, pritet të rezultojë mjaft e luftuar duke qenë se skuadrat përplasen në një moment kyç për objektivat e tyre që aktualisht janë tërësisht të ndryshme.

Të kuqtë, kërkojnë medoemos vendin e katërt të klasifikimit me 33 pikë dhe kanë plot arsye për të besuar duke qenë se Dinamo është vetëm tre pikë larg tyre ndërsa nga ana tjetër, vlonjatët janë të përfshirë në garën e mbijetesës, në vendin e nëntë me vetëm 20 pikë dhe kështu çdo pikë është jetike për kuqezinjtë. Por, përveç pikëve te Partizani, (edhe pse në fushë është e vështirë të bëhet llogari) duhet të mendojnë edhe për kartonët e verdhë pasi janë plot pesë futbollistë që në rast ndëshkimi, rrezikojnë të mungojnë në sfidën e radhës.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Saliu Sembene, mesfushorët Adnard Mehmeti, Valentino Murataj si dhe Redon Ismaili. Ndërkohë, në repartin e avancuar rrezikon të mungojë Vusal Isgandarli, teksa në këtë listë është edhe emri i trajnerit Oltijon Kërnaja që gjithashtu duhet të shmangë protestat e tepruara për të mos plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë.
Në këtë listë janë disa prej emrave që në këtë sezon janë pjesë e formacionit stabël të Partizanit si Sembene, Ismaili dhe Isgandarli, e mungesa e tyre në një ndeshje si ajo e radhës me Egnatian sigurisht që nuk do të kalonte pa u vënë re. Megjithatë, objektivi parësor për kryeqytetasit është koleksionimi i tre pikëve me Flamurtarin pavarësisht kostove dhe vetëm më pas mund të mendohej qetësisht për ndeshjen me Egnatian si dhe zëvendësimin e këtyre elementëve.
Në fakt, organika e “Demave të Kuq” është e pasur dhe në skuadër janë edhe emra si Preka, Janjeva, Mehmeti, Kote, Dumbia apo edhe Laorent Shabani, ndaj edhe nëse ndonjë prej lojtarëve që rrezikojnë pezullimin do të ndëshkohej, ata që do të vinin nga stoli do të ishin gati dhe mbi të gjitha duke ofruar shumë kualitet për të ruajtur nivelin e performancave të lartë dhe për të vijuar me vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
PANORAMASPORT.AL













