Kampionia kuqezi, Colturi “ndez motorët”: Gati për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2025 | 9:48

Kampionia kuqezi, Colturi “ndez motorët”: Gati për sezonin e ri

Ka nisur numërimi mbrapsht për sezonin 2025-2026, të katërtin në Kupën e Botës për skiatoren Lara Colturi, e cila flet për pushimet dhe rinisjen e përgatitjeve.

Lara Colturi

“Ka qenë për mua një pranverë e veçantë, ndryshe. Pas Finaleve të Kupës së Botës në marsin e kaluar, u përqendrova tek studimet në përgatitje të provimeve të maturës në administrim, financë dhe marketing në institutin Frejus të Bardonecchias. Jam shumë e kënaqur me rrugëtimin tim shkollor, plot emocione, mësime dhe lidhje”, shprehet Lara. Pas disa ditësh skish në Les Deux Alpes mes qershorit dhe korrikut, Lara vazhdoi përgatitjen në dëborën e Zelandës së Re, nga gushti deri në shtator.

“Punuam shumë mirë: kushtet e pistave, të motit dhe temperaturës ishin këtë vit shumë pozitive. Munda të stërvitem dhe të testoj materialet e reja Blizzard dhe Tecnica si në gjigant ashtu edhe në slalom, dhe të bëja disa ditë ski në SuperG. Ishte shumë argëtuese për mua të riktheja skitë e gjata, ishin stërvitje përgatitore për disiplinat teknike. Mund të themi se jemi shumë të kënaqur nga ky rrugëtim i gjatë. Do të rifilloj të skijoj në Sölden në fillim të tetorit dhe më pas do të jemi sërish në Val di Fassa për gjithë dimrin dhe pranverën”, rrëfen kampionia kuqezi.

Të rejat për Larën për sezonin e ardhshëm janë të shumta. Lara dhe Federata Shqiptare e Skive kanë zyrtarizuar ekipin, risia më e madhe e të cilit është bashkëpunimi me Alessandro Schiassellonin, në rolin e mbikëqyrësit strategjik të performancave të integruara. Alessandro, i cili më parë kishte mbështetur edhe Daniela Ceccarellin, i sjell Larës eksperiencën e tij të gjatë në menaxhimin dhe optimizimin e rrugëtimit të sportistëve elitarë.

Roli i tij ka për qëllim të garantojë koherencë, drejtim dhe vazhdimësi mes fushave të ndryshme, me synimin për të mbështetur rritjen teknike, fizike dhe performancat psikofizike të Larës.

“Motivimi im më i madh është të mbështes Laren, një talent të jashtëzakonshëm, në rritjen me ekuilibër dhe cilësi. Për mua është diçka speciale të rikthehem të punoj me Daniela Ceccarellin dhe Alessandro Colturin pas sukseseve të arritura në të kaluarën, veçanërisht medaljes së artë olimpike në 2002. Puna ime zhvillohet në sinergji me trajnerët dhe stafin. Nuk bëhet fjalë vetëm për një staf teknik, por për një familje të vërtetë”, shprehet Schiasselloni.

Lara do të vazhdojë të stërvitet në ski nga prindërit e saj Daniela Ceccarelli dhe Alessandro Colturi, do të ketë mbështetjen e teknik Andrea Vianello (Blizzard), osteopatit Martino Delleani (Red Bull), Luisa Finotti përgjegjëse për protokollet e aktivizimit dhe monitorimit të performancave psikofizike, dhe Andrea Cappelletti për marketing, marrëdhënie me mediat dhe organizim. Një grup kompakt, shumë i kualifikuar dhe me kompetenca plotësuese, që bashkon përvojën, inovacionin dhe vizionin ndërdisiplinor në shërbim të rrugëtimit të Larës. Ndërkohë Lara dhe Federata Shqiptare e Skive kanë afruar një gamë te gjerë partneritetesh, duke krijuar një skuadër të jashtëzakonshme rreth një sportisteje me të cilën do të synohet medalja historike në Lojërat Olimpike Dimërore “MilanoCortina 2026”.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL