Kampionati i basketbollit për djem, Besëlidhja dhe Tirana “projektojnë” finalet
Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka luajtur dje gjysmëfinalet e dyta të “play off”-it, duke ofruar tashmë në horizont finalet mes Besëlidhjes dhe Tiranës. Si lezhjanët gjithashtu edhe bardheblutë morën fitore edhe në takimet e dytë në transfertë, përkatësisht kundër Apolonisë dhe Vllaznisë, për ta thelluar në 2-0 serinë.

APOLONIA-BESËLIDHJA – Lezhjanët kanë hedhur një hap të madh drejt finaleve “play off”, të cilat do të ishin të katërtat radhazi për ta, teksa kanë fituar dje kundër Apolonisë me rezultatin 74-97 në Fier. Takimi nisi me rivalitet, me periodën e parë të mbyllur 19-20 për Besëlidhjen. Në çerekun e dytë skuadra e Afrim Bilalit e rriti ritmin, duke fituar 18-26, për të kryesuar 37-46 pas gjysmës së sfidës. Miqtë i mbyllën llogaritë në çerekun e tretë, të cilin e morën 12-25, për të thelluar në 49-71 pas 30 minutash lojë. Perioda e fundit nuk ndryshoi asgjë, e mbyllur 25-25, ndërsa e gjithë sfida shkoi me +23 pikë për Besëlidhjen. Për kampionët në fuqi u dalluan Eldi Hysa me 16 pikë e 9 asistime, Frenki Lilaj me 19 pikë dhe Trey Edmonds me 15 pikë e 11 kërcime. Në radhët e Apolonisë më të mirët ishin Isaiah Jackson (19 pikë, 6 kërcime, 10 asistime), Djorkaeff Campbell (21 pikë, 8 kërcime) dhe Quincy Ademokoya (20 pikë).
VLLAZNIA-TIRANA – Klasikja e “play off”-it dhuroi një përballje interesante edhe në finalen e dytë, ku sërish ata që festuan në fund ishin bardheblutë. Tirana fitoi kundër Vllazninë në Shkodër me rezultatin 86-90 në një takim që ofroi disa tablo të ndryshme brenda 40 minutave. Ndeshja filloi me dominim të madh të kryeqytetaseve, të konkretizuar me rezultatin e thellë 11- 32 në periodën e parë. Në çerekun e dytë kjo diferencë zhvendoset në favor të kuqebluve, të cilët fitojnë gjithashtu me +21 pikë (33-12), duke bërë që skuadrat të shkojnë në pushimin e madh në shifrat e barabarta 44-44. “Luhatjet e bursës” vijojnë edhe në çerekun e tretë, ku sërish dalin në skenë kryeqytetasit, të cilët e marrin periodën 13-26, duke udhëhequr 57-70 pas 30 minutash. Vllaznia provon të afrohet në periodën e fundit, të cilën e merr 29-20, por nuk shkon më shumë se -4 pikë në shifra të përgjithshme, pasi janë bardheblutë ata që dalin fitimtarë. Me të gjithë formacionin në dopioshufër pikësh, Jonathan Massie pati rendimentin më të lartë për Tiranën. Amerikani qethi tripletën dyshifrore, duke regjistruar 19 pikë, 13 kërcime dhe 9 asistime, mbështetur nga Samuel Skëndaj me 21 pikë. Për Vllazninë nuk mjaftoi Justin Thomas, autor i 27 pikëve, i 6 kërcimeve dhe i 7 asistimeve. Më 2 maj do të jetë radha e gjysmëfinaleve të treta, me Besëlidhjen dhe Tiranën që janë vetëm një fitore larg kualifikimit.

PANORAMASPORT.AL













