Kalendari i Partizanit/ 3 ndeshje delikate, të kuqtë e mbyllin në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2026 | 22:01

Kalendari i Partizanit/ 3 ndeshje delikate, të kuqtë e mbyllin në shtëpi

Partizani hyn në fazën më vendimtare të sezonit me tre ndeshje që do të përcaktojnë fatin e skuadrës në garën për vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në “Final Four”. Të kuqtë aktualisht ndodhen në vendin e pestë dhe çdo pikë në javët e mbetura ka peshë të madhe për objektivin final. Kalendari i vendos përballë Partizanit tre kundërshtarë direkt dhe sfida me shumë rëndësi.

PARTIZANI

Ndeshja e parë do të jetë ndaj Flamurtarit në “Arenën e Demave”, një përballje ku Partizani kërkon rikthimin te fitorja dhe vazhdimësinë në garën për katërshen e parë. Bilanci i të kuqve ndaj Flamurtarit në këtë sezon është mjaft pozitiv. Partizani ka arritur tre fitore në tre përballje, duke marrë maksimumin e mundshëm prej 9 pikësh. Ky rekord pozitiv i jep më shumë besim skuadrës për këtë takim, sidomos duke parë se sfida do të luhet në shtëpi, aty ku Partizani synon të shfrytëzojë maksimalisht faktorin fushë. Përballja e dytë do të jetë një transfertë shumë e vështirë ndaj Egnatias në “Arena Egnatia”, një nga skuadrat më të forta të kampionatit dhe një rival direkt për objektivat e sezonit.

Bilanci ndaj Egnatias është më i ekuilibruar. Në tre ndeshje të luajtura, Partizani ka marrë një fitore, një barazim dhe një humbje, duke grumbulluar gjithsej 4 pikë. Kjo tregon se sfida në Rrogozhinë pritet të jetë shumë e luftuar dhe një nga momentet kyçe të sezonit për të kuqtë, pasi aty mund të vendoset shumë për renditjen finale. Ndeshja e fundit e kampionatit do të jetë ndaj Dinamos në “Arenën e Demave”, një tjetër sfidë direkte d që mund të konsiderohet finale me peshë të madhe për renditjen dhe objektivat europiane.

Bilanci ndaj Dinamos në këtë sezon nuk është pozitiv për Partizanin. Të kuqtë kanë arritur vetëm një fitore, ndërsa janë mposhtur në dy takime të tjera, duke marrë vetëm 3 pikë. Kjo e bën përballjen e fundit edhe më delikate, pasi Partizani jo vetëm që kërkon pikët për klasifikimin, por edhe një reagim ndaj një rivali ditekt. Në total, këto tre ndeshje përfaqësojnë finalet e vërteta të sezonit për skuadrën e drejtuar nga Oltijon Kërnaja. Flamurtari, Egnatia dhe Dinamo janë tre kundërshtarë me profile të ndryshme, por me të njëjtën rëndësi për fatin e Partizanit në kampionat.

Nëse ndaj Flamurtarit statistikat janë qartësisht në favor të të kuqve, ndaj Egnatias dhe Dinamos kërkohet të paktën në letër një nivel më i lartë për të marrë rezultatet e nevojshme. Partizani nuk ka më hapësirë për gabime dhe çdo ndeshje duhet trajtuar si një finale, pasi diferenca në renditje është minimale dhe gara mbetet plotësisht e hapur.

Synimi mbetet vendi i katërt dhe pjesëmarrja në “Final Four”, objektiv që do të mbante gjallë edhe shpresën për kualifikimin në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm. Gjithçka do të vendoset në këto tre javë dhe Partizani duhet të tregojë karakter, qetësi dhe efikasitet për të mos lënë të dështojë një sezon që ende mund të mbyllet me sukses.

PANORAMASPORT.AL