Justifikim për të kuqtë, ja çfarë po kërkon Partizani për trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2026 | 10:47

Justifikim për të kuqtë, ja çfarë po kërkon Partizani për trajner

Partizani vijon punën për të gjetur trajnerin e ri që do të marrë drejtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm, me drejtuesit që janë të vendosur për të mos gabuar në një zgjedhje që konsiderohet vendimtare për vazhdimësinë e projektit të klubit. Pas një sezoni të mbyllur në vendin e pestë dhe jashtë “Final Four”, te të kuqtë ekziston bindja se një pjesë e problemeve erdhën edhe nga mungesa e stabilitetit në pankinë, ndaj këtë herë klubi kërkon të marrë kohën e nevojshme për të bërë zgjedhjen e duhur.

partizani

OBJEKTIVI

Sezoni i fundit u karakterizua nga ndryshime të shumta në stafin teknik, me Partizanin që ndërroi tre trajnerë gjatë kampionatit. Një situatë që solli jo pak luhatje në rezultate, por edhe vështirësi në krijimin e një identiteti të qëndrueshëm loje. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit nuk duan të nxitojnë dhe po analizojnë me kujdes çdo alternativë që kanë në tavolinë. Trajneri i ri nuk do të ketë vetëm detyrën për të rikthyer Partizanin në nivelet më të larta të konkurrimit, por pritet të jetë edhe pjesë shumë e rëndësishme e ndërtimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Në klub synojnë që tekniku i ri të ketë rol aktiv në përzgjedhjen e lojtarëve, në organizimin e grupit dhe në krijimin e një projekti më afatgjatë, që të shmangen sërish lëvizjet e shpeshta në pankinë.

HISTORIA

Aktualisht, në tryezën e drejtuesve ndodhen disa emra, mes trajnerëve shqiptarë dhe të huaj. Megjithatë, nga sa mësohet, preferencat e presidencës janë më shumë drejt një trajneri të huaj, i cili mund të sjellë ide të reja dhe një filozofi ndryshe loje. Edhe pse emrat konkretë mbeten ende të rezervuar, kontaktet me disa alternativa kanë nisur prej ditësh dhe pritet që në javët në vijim të ketë zhvillime më konkrete. Megjithatë, historia e trajnerëve të huaj në futbollin shqiptar nuk ka qenë gjithmonë e suksesshme. Në shumë raste, klubet shqiptare kanë investuar te teknikë të ardhur nga jashtë, por rezultatet nuk kanë qenë ato të pritshmet. Madje, një pjesë e tyre janë larguar pa lënë gjurmë dhe pa arritur të krijojnë stabilitet në skuadrat që kanë drejtuar.

FAKTET

Statistikat e viteve të fundit tregojnë qartë vështirësinë që kanë pasur trajnerët e huaj për të triumfuar në Superiore. Duke marrë në konsideratë kampionatet nga viti 2010 e deri më sot, vetëm tre trajnerë të huaj kanë arritur të shpallen kampionë në Shqipëri. I pari ishte çeku Stanislav Levi, i cili udhëhoqi Skënderbeun drejt titullit kampion në sezonin 2011- 2012, në fillimin e dominimit të korçarëve në futbollin shqiptar. Më pas, do të kalonin shumë vite deri te suksesi i radhës i një trajneri të huaj. Vetëm në sezonin 2019-2020, Emanuel Egbo do të arrinte të shpallej kampion me Tiranën, duke rikthyer bardheblutë te titulli pas shumë vitesh mungesë. Ish-portieri nigerian hyri në histori si trajneri i parë afrikan që fitonte një kampionat europian, ndërsa puna e tij u vlerësua maksimalisht në atë periudhë. I fundit që ia doli të triumfonte ishte italiani Giovanni Colella, pikërisht me Partizanin, në sezonin 2022-2023. Tekniku italian arriti të ndërtonte një skuadër solide dhe të disiplinuar, duke rikthyer titullin kampion në kampin e kuq. Ai mbetet edhe shembulli më i freskët që u jep besim drejtuesve të Partizanit se një trajner i huaj mund të rezultojë sërish zgjedhja e duhur.

E TASHMJA

Pikërisht nisur nga suksesi i Colellës, në ambientin e Partizanit ekziston bindja se klubi mund të godasë sërish në shenjë me një teknik të huaj. Drejtuesit kërkojnë një profil që të ketë eksperiencë, personalitet dhe aftësi për të menaxhuar presionin e një skuadre që ka objektiva madhorë. Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm mbetet edhe raporti që trajneri i ardhshëm do të krijojë me grupin. Te Partizani synojnë të ndërtojnë një skuadër më kompakte dhe më të balancuar, ndaj tekniku i ri duhet të dijë të menaxhojë organikën dhe të krijojë stabilitet në ekip. Gjithashtu, drejtuesit kërkojnë që trajneri i ardhshëm të ketë ide të qarta për mënyrën e lojës dhe të ndërtojë një identitet të fortë për skuadrën. Një nga problemet e sezonit të fundit ishte mungesa e vazhdimësisë në paraqitje, me ekipin që shpesh humbiste stabilitetin nga një fazë në tjetrën.

PROJEKTI

Në klub janë të vetëdijshëm se zgjedhja e trajnerit do të ndikojë drejtpërdrejt edhe te merkatoja. Për këtë arsye, synimi është që emërimi i teknikut të ri të bëhet përpara nisjes së përgatitjeve verore, në mënyrë që ai të ketë kohën e nevojshme për të ndërtuar skuadrën sipas ideve të tij. Partizani synon që sezoni i ardhshëm të jetë ai i rikthimit në luftën për titull dhe për këtë arsye zgjedhja e trajnerit konsiderohet hapi më i rëndësishëm i verës në kampin e kuq.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL