Josa bën gati “murin” ndaj Flamurtarit, Përgjoni: Bylisi kërkon vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2025 | 13:47

Josa bën gati “murin” ndaj Flamurtarit, Përgjoni: Bylisi kërkon vazhdimësinë

Arli Përgjoni, një nga lojtarët më në formë të Bylisit, ka qenë një nga zbulimet e sezonit të kaluar në Ballsh, ku u grumbullua edhe me Kombëtaren.PERGJONIAi ka spikatur si mesfushor me tipare sulmuese, ndërsa në moshën 23- vjeçare synon të lërë gjurmë te mallakastriotët. Në ndeshjen ndaj Tiranës realizoi gol dhe ishte lojtari më i rrezikshëm i ekipit.

Në prag të përballjes me Flamurtarin, Përgjoni, që është një nga titullarët me më shumë minuta këtë sezon, ka deklaruar për “Panorama Sport” se Bylisi do të kërkojë të vazhdojë ecurinë pozitive dhe të marrë rezultat në Vlorë. Ai vlerëson kundërshtarin për traditën dhe atmosferën që krijon, por thekson se fitorja mbetet objektiv.

“Jam shumë i lumtur për golin ndaj Tiranës dhe për faktin që morëm tri pikë të vlefshme, madje në transfertë dhe ndaj një rivali direkt për mbijetesën. Kemi bërë një ecuri të mirë dhe duhet të ruajmë ritmin për të vijuar me rezultate pozitive, duke rikuperuar edhe pikët që kemi lënë në shtëpi. Tani na pret një ndeshje shumë delikate me Flamurtarin. Vlonjatët duhen respektuar, sepse luajnë mirë, kanë stadium modern dhe atmosferë të bukur. Ne i vlerësojmë jo nga renditja, por si një ekip me traditë dhe një fanellë që peshon. Megjithatë, ne kemi objektivat tanë dhe në Vlorë shkojmë për të vazhduar ecurinë pozitive. Kampionati ka hyrë në fazën më interesante dhe duhet kujdes maksimal. Kemi pasur disa mungesa në javët e fundit, por grupi po konsolidohet dhe kjo ka ndikuar pozitivisht në lojë e rezultate. Duhet të ruajmë këtë ritëm, të punojmë fort dhe të japim maksimumin, sepse kështu ndihmojmë skuadrën, por edhe veten tonë”, u shpreh Arli Përgjoni.

FORMACIONI- Trajneri i Bylisit, Mirel Josa, pritet të mos bëjë ndryshime në formacion për sfidën e sotme ndaj Flamurtarit. Ndeshja konsiderohet e vështirë, por aspak e pamundur për mallakastriotët, të cilët do të kërkojnë të vazhdojnë serinë pozitive edhe në këtë transfertë, të dytën radhazi për fazën e dytë. Mungon vetëm Kamara, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme. Josa, bashkë me stafin e tij, pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Takimi do të zhvillohet sot në orën 17:00, në stadiumin “Flamurtari”, ku Bylisi synon të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL