“Jo vetëm një ndeshje”, Milinkoviç për trajnerin e Tiranës para derbit: E pashë në gazetë se… (E PLOTË)
Mladen Milinkoviç ka folur në një konferencë të gjatë për shtyp para ndeshjes Partizani-Tirana. Takimi derbi do të luhet nesër në stadiumin “Air Albania” prej orës 19:00.

A është kjo ndeshje vendimtare për të ndryshuar?
Përpara nesh është një ndeshje shumë e rëndësishme. Ne kemi vetëm 4 pikë. Është koha për të treguar fytyrën e vërtetë. Patjetër ngaqë është derbi, të gjithë besoj do jenë të motivuar për këtë ndeshje. Pres atmosferë shumë të mirë, luajmë në stadiumin më të mirë në vend. Të gjitha më japin shpresën se lojtarët do jenë shumë më mirë se në ndeshjet e fundit. Gjithashtu shpresoj që të kuptojnë se Partizani është klub i madh dhe nuk mund të luash aty dhe të kesh oshilacione të shumta.
A është sfidë edhe në aspektin personal?
Për ne më e rëndësishmja është fitorja nesër. Statistikat janë të dobëta. Kemi analizuar dhe patjetër që do përmirësohen. Duhet të kemi më shumë posedimin ose kontrollin e lojës. Në këtë formë të kontrollojmë dhe të krijojmë pak më shumë.
Si vjen Partizani në këtë sfidë dhe sa besoni te fitorja?
Besoj shumë. Nëse shikoni rezultatet nuk jemi në pozicion të mirë. Besoj se në futboll në çdo ndeshje të re çdo gjë mund të ndryshojë. Kundër Elbasanit isha i kënaqur me ekipin. Nuk isha i lumtur se nuk fituam, por krijuam shumë raste të cilat nuk arritëm t’i realizojmë. Në Ballsh mbase ishte ndeshja më e keqe se e sezonit për ne. Këto gjëra ndodhin në futboll, nuk jemi të lumtur me vetëm 4 pikë dhe shumë larg objektivit kryesor. Kur punon në futboll, duhet të besosh te puna dhe lojtarët e tu dhe me 2-3 rezultate pozitive gjërat ndryshojnë. Për ne hapi i parë është nesër të japim maksimumin për 3 pikët.
Performanca e lojtarëve të ardhur në verë nuk është në nivelin më të mirë. Çfarë prisni?
Kur humbet nuk mund të vendosësh gishtin vetëm te 1 apo 2 lojtarë. Ne presim më shumë nga të gjithë sepse kemi shumë lojtarë të mirë. Nëse flasim sinqerisht mund të dukem sikur mbroj lojtarët, por nëse Skuka është në formën optimale me cilësitë që posedon mund të shënojë 15-20 gola. Ka qenë dy herë i dëmtuar në një muaj dhe nuk është në gjendjen më të mirë optimale. Pas pauzës së kombëtare do rikthehet. Bintsuka erdhi pas 3 muajve pushim, e vështirë të përgatitet për 3 javë. Dhe mbase njerëzit që dëgjojnë apo lexojnë mund të thonë se trajneri po e mbron veten, por kjo është e vërteta. Shumë prej tyre po kërkojnë më të mirët. Kemi lojtarë si Martinez, Doumbia dhe Sembene jashtë stërvitjes që janë të rëndësishëm, por kjo është pjesë e futbollit dhe duhet të vazhdojmë pa ato.
Me këtë skuadër a garantoni disi titullin për presidentin?
Mund të garantoj se për sa kohë jam këtu do bëjmë më të mirën në aspekt të punës, për të qenë kampion. Nuk është fillim i mirë, por kemi diferencës 6-7 pikë nga vendi i parë. Mundohem t’ja shpjegoj lojtarëve. Mbase i dini rregullat e reja ku pikët përgjysmohen dhe pastaj “Final Four”. Dhe unë besoj se nëse do kishim të gjithë lojtarët e gatshëm, do ishte komplet Partizan tjetër.
Pra nuk garanton se do ndodhë?
Ajo që them është se nëse i gjithë grupi i futbollistëve është gati, do jetë Partizan tjetër.
Çfarë kanë më shumë të tjerët që nuk e ka Partizani?
Nuk e di çfarë bëjnë. Kur shikoj ndeshjet, askush nuk ka 9 të dëmtuar. Disa kanë ndryshuar ekipin. Përkundër ardhjeve dhe ndryshimeve kanë ruajtur boshtin. Ne kemi ardhje që kërkojnë kohën e vetë, patjetër që kemi pritur adaptim më të shpejtë.
A nuk iu ndjekin disa lojtarë?
Isha shumë i mërzitur pas ndeshjes me Bylisin. Patjetër që dukesha i dorëzuar, por me mënyrën si i dhamë golit. Golin e dytë dhe tretë e dhuruam për gabime personale. Dhe patjetër që nuk prisja ndeshje të lehtë, por nuk e besoja ose isha i nxehur që lojtarët nuk po e kuptojnë ku janë dhe çfarë kërkojmë ne.
A iu ndjekin lojtarët?
Besoj se më ndjekin, por ndoshta nuk janë në formën më të mirë. Nëse kam ndjesinë që dikush nuk më ndjek apo të më ndihmojë, e ndryshoj menjëherë. Janë disa momente dhe i analizojmë gjatë javës. Në ndeshjen me Bylisin, në minutën e 13-të është situatë e ngjashme si me Vllazninë kur ne me një pasim më cilësor mund të realizonim. Nuk besoj se është dikush që luan futboll dhe nuk dëshiron të fitojë.
Si është gjendja e skuadrës para Tiranës? Ka fituar Hoxha balotazhin me Qirkon?
Nuk ka balotazh mes dy portierëve, por është pozicion shumë specifik. Kemi dy portierë shumë cilësorë, kushdo ta fillojë mendoj është zgjedhje e mirë. Patjetër që nuk është pozicion si sulmuesi ku nuk shënon për 2-3 apo 4 ndeshje, e ndërron. Nuk shqetësohem, është pozicion specifik dhe jam i sigurt kushdo ta fillojë do jetë shumë mirë. Nga dëmtimet vetëm Skuka filloi stërvitjen me skuadrën. Arafat, Martinez dhe Sembene vazhdojnë jashtë. Pjesa tjetër e grupit është e gatshme për nesër.
Problemi i Tiranës janë duelet ajrore, e keni vënë re?
E pashë në gazetë çfarë kishte thënë në konferencë. Patjetër që kur përgatit ndeshjen është këndvështrimi yt. Ata na analizojnë neve dhe ne ato, por në fund gjithçka u përket lojtarëve në fushë. Patjetër që detyrë e trajnerit të përcaktojë formacionin dhe të japë direktivat në lojë, por kur fillon ndeshja për atë që ndodh aty është komplet dinamikë tjetër. 1 sekond apo 1 moment mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes. Nëse ju kujtohet ndeshja me Ballshin, me rezultatin 1-1 ndaj Bylisit kishim situatë me Mehmetin. Po të kishim shënuar do ishte komplet rrjedhë tjetër, ndërsa ndodhi që shënuan ato dhe ndryshoi rrjedha. Shpresojmë se nesër do jetë ndeshje e bukur dhe shpresoj se do fitojmë.
A jeni i kënaqur me barazimin?
Varet nga ndeshja. Mund t’ju tregoj pas ndeshjes. Normalisht që nuk jam i lumtur. Patjetër që nëse kundërshtari është shumë i mirë dhe del me pikë, patjetër që duhet të jesh i lumtur. Dua të mendoj që nesër koha për të fituar, për të marrë 3 pikët pas një muaji që nuk kemi fituar. Dhe jemi të gjithë në situatë që e kuptojmë sa njerëz në këtë vend e mbështesin Partizanin dhe janë të zhgënjyer me këtë nisje dhe lexoj që është nga nisjet më të këqija mbase në historinë e Partizanit të viteve të fundit. Kjo është arsye për mua dhe lojtarët e mi, që të japim nesër maksimumin për 3 pikët. Mbase nuk është vetëm një ndeshje futbolli, por pak më shumë se aq.
Më i ngarkuar është trajneri apo drejtori Arbëri?
Nga dita e parë që erdha thashë se ndihem me më shumë me përgjegjësi se presion. E di se shumë gjëra janë në duart e mia dhe varen nga unë, edhe pse në futboll filozofia është që çdo gjë varet nga lojtari, por jam unë që i zgjedh në fushë. Përsa i përket presionit mendoj se është normale dhe rrugëdalja e vetme që të punosh dhe mundohesh të dalësh nga kjo situatë.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













