“Jemi ekip kampion dhe nuk tolerohen këto gabime”, Tetova pas ndalesës në Ballsh: Tre ndeshje pa fitore? Jam i pari, jam i qetë, jemi lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2026 | 15:53

“Jemi ekip kampion dhe nuk tolerohen këto gabime”, Tetova pas ndalesës në Ballsh: Tre ndeshje pa fitore? Jam i pari, jam i qetë, jemi lart

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka theksuar se ekipi nuk kishte reaguar mirë në momente të veçanta duke sjellë barazimin 2-2 ndaj Bylisit.

tetova

“Normalisht që është transfertë e vështirë. Kjo paraqitje lë shumë për të dëshiruar, mendoj që kemi dominuar lojën, por jo aq efektiv sa duhet para portës dhe më shqetëson realisht.

Në 15 minuta, aq është, pastaj vendosa të ndryshoj. Normalisht janë gjëra personale, që nuk ti mëson trajneri si të markosh kundërshtarin në rivënie apo vendosje kur mbrohet. Duhet parë përpara, se mbrojtja ishte e modifikuar sot, sigurisht kishim mungesa. Ishte vetëm një ndeshje, ishte transfertë e vështirë. Por siç mund ta fitonim, edhe mund ta humbnim, se të dy ekipet kishin raste. Mendoj në fund ishim më afër fitores por pa arritur të shtyjmë topin në rrjetë.

Është maratonë e gjatë kampionati, ka luhatjet e veta. Nuk kam pasur probleme nga lojtarët e stolit se minuta kanë të gjithë, janë disa momente që duhet të presim lojtarët që të vijnë në formën e duhur. Por jam i kënaqur nga ata që hynë në fushë qoftë edhe për pak minuta.

Fernando dhe Fangaj që futej nga brenda, duhej të ishin ata ndalesa e parë e aksionit, por nuk e bënë pjesën e parë këtë gjë, ose shumë pak. Ishte dëshira për të bërë golin. Por ne jemi kampion dhe një ekipi kampion nuk i tolerohen këto gabime taktike, se në dy momente Bylisi mund të na shënonte në pjesë të parë. Nuk është alarm, është vetëm një ndeshje, është transfertë e vështirë se fusha nuk është në nivelin e duhur për lëvizjen e topit, por mbetem i kënaqur me atë që dha skuadra.

Fusha duket mirë nga televizori, por është për të dy ekipet e nuk mund të shfajësohem për këtë pjesën.

Me shumë sulmues? Po bëhesha gati, e kishim llogaritur që do të provonim me shumë sulmues, nuk mund të ndryshonim gjë nga stërvitja se është pa plan e bëhet rrëmujë totale. E punuam mirë, por duhej të ishim më të saktë para portës, sidomos te linja e fundit e kundërshtarit, të ishte më e shpejtë. U bë një moment dhe u shënua, lojtarët duhet të kenë ego për të shkuar përpara akoma.

Tre ndeshje pa fitore? Nuk është se më shqetëson, është maratonë, jam i pari, jam aty, jemi lart. Shqetësimi është që kam 5 ndeshje që nuk luaj me një mbrojtje fikse, kjo është shqetësim për mua dhe ekipin se kemi marrë gola. Ky është alarmi kryesor, do fillojmë e stabilizojmë gjërat në ndeshjet e vazhdimit”, tha Tetova për RTSH pas sfidës.

PANORAMASPORT.AL