Italia do ishte më e lehta, nuk është momenti për të diskutuar Silvinjon
Pas sfidës së Kombëtares shqiptare ndaj Anglisë, një prej zërave më autoritarë të futbollit shqiptar, Neptun Bajko, analizon me qetësi dhe kthjelltësi atë që ndodhi në fushë, por edhe panoramën më të gjerë të rrugëtimit drejt Botërorit.

Me përvojën e tij të gjatë si trajner dhe njohës i thellë i lojës, Bajko vlerëson paraqitjen e skuadrës kuqezi, flet për qasjen taktike, rëndësinë e qetësisë në ndeshjet jashtë fushe, si dhe për dilemat e shortit që na pret në mars. Në këtë bisedë, ai ndalet edhe te forma e lojtarëve, puna e Silvinjos, si dhe mesazhet inspiruese që vijnë nga legjendat e futbollit shqiptar. Një analizë e plotë nga një prej mendjeve më të qarta të futbollit tonë.
Si e pe ndeshjen me Anglinë?
Të dy ekipet ishin të kualifikuara. Pra luanin pa atë presionin e fitimit me çdo kusht të ndeshjes. Në këtë aspekt, unë prisja që të dy ekipet, por sidomos ekipi anglez, të luanin të qetë, të kontrollonin lojën në çdo aspekt, të mos lejonin që ekipi ynë të merrte iniciativa që mund të rrezikonin portën e tyre. Pra, me një fjalë, një ekip primar që dinte ç’bënte, dinte si sillej, dinte si rrinte, dinte si vepronte qoftë në veprimet sulmuese, qoftë në veprimet e mbështetjes, që nga mbrojtja dhe presingu. Në këtë aspekt, ekipi ynë kombëtar u paraqit pozitivisht. Kjo është ajo që edhe publiku sportdashës e ndoqi me interes. Kishte shpresë për një lojë qoftë edhe rezultative, por në thelb një qëndrimi të mirë të të dy ekipeve. Lojtarët tanë luajtën me shpirt sakrifice, luajtën me maksimumin 100% për të përballuar një ekip të tillë, me lojtarë të tillë të përgatitur mirë.
Ku mendoni se vërtet u pa skuadra jonë në këtë lojë, që ishte e hapur dhe e bukur?
Të them të drejtën, unë kam vetëm fjalë pozitive për ekipin tonë. Duke u nisur nga ekipi që kishe përballë, një skuadër me nivel të lartë botëror. Skuadra jonë u përpoq të mos binte në presionin e anglezëve, në presionin e ndeshjes dhe të rezultatit. U përpoq të ruante linjat e ndërtimit të lojës, të reparteve dhe ato individuale. Duke pasur përballë një ndeshje të tillë, të jepet rrallë rasti që të luash ndaj një ekipi me përgjegjësi të tillë. Skuadra jonë luajti qetë, nuk dha shenja nervozizmi apo shpërbërjeje në aplikimin e lojës. Ishte e kujdesshme sidomos në aspektin mbrojtës. Kur ekipi jonë zbriste në bllok, e përballonte me sukses lojën. Nga ana tjetër, kishte momente të studiuara, të avashta, por të sigurta.
A kishte ndryshim në mënyrën e lojës nga ndeshjet e fundit? A është skuadra eksperimentale apo e njëjta linjë me ekipet e mëparshme?
Unë mendoj se ishte e njëjta në aspektin e formacionit dhe të lojës. Por, një ndryshim që lojtarët kanë kuptuar se pa dhënë maksimumin, pa lëvizur, pa rënë në kurthet e fushës, ishin të mbledhur. Mbulimi i kundërshtarëve, mbulimi i zonave, ecja me njësi në veprimet mbrojtëse bëri që skuadra jonë të mos gabonte, të mos binte pre e lojës së anglezëve. Në disa momente, veprimet e disa lojtarëve tanë si Uzuni, Hoxha e të tjerë sollën ritëm dhe entuziazëm te publiku, me fantazinë dhe teknikën e tyre.
Tani jemi në vazon 3. Do të luajmë me njërën nga këto katër skuadra. Uells, Skoci, Irlandë, ose Sllovaki. Janë të gjitha skuadra britanike, përveç Sllovakisë. Në letër jemi “udhëtuesit”, pra luajmë jashtë. Po Shqipëria ka rezultatet më të mira pikërisht në transfertë. Si i shihni?
Unë mendoj se është shumë mirë që loja bëhet jashtë. E di pse? Sepse ekipi nuk e ndien presionin e tifozëve tanë. Nuk ndikohet nga atmosfera, e cila mund të jetë pozitive, por ndonjëherë ndikon negativisht nëse nuk luan mirë. Jashtë luajmë më të qetë, analizojmë më mirë kundërshtarin. Dhe, nëse arrijmë rezultat pozitiv jashtë, atëherë e kemi shpërthimin e madh për ndeshjen tjetër. Më e vështira për t’u përballur.
Sipas jush, cila është skuadra që do të donit ju?
Për mendimin tim, Italia do të ishte më e lehta siç e pamë, por ajo është në vazon 1. Por nga këto që janë në short… më shumë frikë kam Irlandën. Nuk e di pse, por e kam frikë. Sllovakia ndoshta është më e lehtë, por Irlanda është e fortë. Janë agresivë, kanë një shpirt gare ndryshe nga anglezët, nga sllovakët apo të tjerët.
Si i konsideroni eliminatoret? Shkojmë apo jo në Botëror?
Realisht, unë e konsideroj shumë pozitive. Në disa ndeshje ekipi la për të dëshiruar në nivel loje, por jo në rezultat. Dhe në futboll, rezultati është thelbësor. Përfituam nga situata si me Serbinë, që ishte e trazuar. Por, në përgjithësi, ecuria e ekipit është shumë pozitive. Objektivi, vendi i dytë dhe kalimi në “play off” u arrit. Pa diskutim.
Silvinjon dhe punën e tij si e shihni? A duhet të qëndrojë pas eliminatoreve?
Nuk është momenti për ta diskutuar këtë çështje. Jemi para ndeshjeve që i japin ose ia heqin Botërorin Silvinjos. Ai ka bërë punë të mirë, ka aktivizuar grup lojtarësh, ka përdorur çdo element që i është vënë në dispozicion. Do të kemi kohë të diskutojmë më pas.
Çfarë duhet të bëjë skuadra në mars?
Duhet parë me kujdes kundërshtari, forma e lojtarëve, forma e ekipit kundërshtar, ajo e kombëtares. Është periudhë e gjatë, nuk dihet si do jenë lojtarët. E rëndësishme është të mbahen kontakte me lojtarët, të ruhet fryma e grupit, entuziazmi i suksesit, dhe të mos kemi dëmtime, sepse krijojnë shumë preokupim. Tani, doja të thosha diçka. Kam vlerësuar shumë intervistën e Sokol Kushtës për Brojën. Ai i dha një mesazh shumë të vlefshëm për si të kalojë periudhën e vështirë të dëmtimit. Me sportivitet, me përvojë, me dashamirësi, i dha mësime jete, jo thjesht këshilla. Nuk është thjesht një këshillë, është diçka shumë më e madhe. Sokoli, legjenda e futbollit tonë, e këshilloi Brojën me bujari dhe respekt. Çështja është edhe të gjesh situatën më të volitshme për të dhënë dhe për të vënë në jetë mësimin, përvojën profesionale nga kjo legjendë e futbollit tonë, siç është Sokoli. Me shumë sportivitet, me shumë përvojë, me shumë dashamirësi ai të mëson se si t’i vësh në jetë, se si t’i kalosh më lehtë situata që edhe ai vetë i ka kaluar, dhe ka përvojë në këtë aspekt. Ai thotë që asnjë këshillë nuk mund të vijë nga lart kot. Por nuk është thjesht një këshillë, është diçka më shumë, shumë më e madhe sesa kaq
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













