Ish-trajneri i Elbasanit, Dosti: Vendi i katërt ndahet në duelin direkt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2025 | 23:42

Ish-trajneri i Elbasanit, Dosti: Vendi i katërt ndahet në duelin direkt

Elbasani është më afër se kurrë “Final 4”, por, për ta arritur këtë, duhet të vazhdojë me ecurinë pozitive të javëve të fundit, duke iu afruar Partizanit me vetëm një pikë larg.MUHARREM DOSTITani verdheblutë i kanë të gjitha në dorën e tyre, ku mjaftojnë të marrin pikët maksimale dhe në fund do të jenë ata pjesë e katërshes. Ditën e nesërme elbasanasit do të luajnë aktin e parë nga tre të mbetura, ku do të presin skuadrën e Bylisit.

Një ndeshje që në kampin verdheblu e kanë vlerësuar dhe shpresojnë tek marrja e maksimumit. Fakti që luajnë në shtëpi shihet si avantazh i lehtë, për më tepër që me mallakastriotët kanë edhe bilanc pozitiv.

DOSTI – Në lidhje me ndeshjen e radhës dhe objektivin final të elbasanasve, ka folur në një prononcim për “Panorama Sport” ish-trajneri, Muharrem Dosti. Ai vlerëson ecurinë që kanë bërë verdheblutë ndeshjet e fundit, por kërkon kujdes nga Bylisi. Gjithsesi, ka besim se ekipi nuk mund të gabojë në këto momente.

“Shoh një rritje të skuadrës në ndeshjet e fundit. Jo vetëm sa i përket pikëve që po merr, por edhe në logjikën e lojës, mënyrën sesi shkojnë te goli apo mbrojnë. Gvozdenoviç ka gjetur ekuilibrat që i duheshin, edhe pse ka qenë i privuar nga mungesat. Pres të njëjtën gjë edhe ndaj Bylisit në ndeshjen e radhës, ndonëse është nga ato ndeshje që kërkon shumë kujdes. Kundërshtari kërkon pikë mbijetese, ndaj nuk do të jetë e lehtë. Mirëpo, fakti që luajnë në shtëpi dhe vijnë pas një forme të mirë, shoh Elbasanin si fitues. Por, siç e theksova, ta përgatisin ndeshjen me kujdes dhe të tregojnë durim, sepse loja sjell edhe situata të papritura”, u shpreh fillimisht ish-trajneri dhe ish-portieri i skuadrës së Elbasanit.

“FINAL 4” – Dosti u ndal edhe tek objektivi final, siç është mbërritja në katërshe në fund të sezonit. Ai sheh më të avantazhuar Elbasanin për t’ia dalë ndaj Partizanit, për vetë faktin se vijnë me një moral shumë më të lartë.

“Ky është kulmi i sezonit ku ndahen shumë gjëra dhe është shumë e rëndësishme forma në të cilën ndodhen ekipet. Elbasani duket në maksimumin e tij dhe me një optimizëm të madh, ndryshe nga Partizani që nuk është më ai i dy fazave të para. Mendoj se Elbasani do ta shfrytëzojë këtë gjë në këto tri ndeshje të mbetura. Rikuperimi i shumë pikëve disavantazh tregon edhe ambiciet e elbasanasve, të cilët nuk u dorëzuan edhe atëherë kur dukej i pamundur për t’u arrirë. Sipas të gjitha gjasave vendi i katërt mund të ndahet në duelin direkt, por shoh më të rëndësishme dy ndeshjet e radhës, që i duhet marrë maksimumi”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-trajneri Muharrem Dosti.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL