Ish-trajneri, Canaj “shpërthen” për mënyrën si u ndërtua ekip: Flamurtari, gabimi fatal nisi nga trajneri i huaj
Agim Canaj mendon se gabimi i Flamur tarit është bërë që në ndërtim, ku u formatua skuadra gjatë merktos së verës.

Ish-trajneri vlonjat shprehet se puna me skuadrën ka qenë e dobët dhe se në Vlorë u afrua një trajner që nuk e njihte aspak kampionatin shqiptar, duke iu referuar Karlos Garsias. Ndërsa vlerëson investimin e pakursyer të Sinan Idrizit, Canaj thekson për “Panorama Sport” se me gjysmën e buxhetit të këtij sezoni mund të ndërtohej një skuadër shumë më kualitative.
“Mua më ka rënë rasti që kam qenë trajner dhe i kam marrë skuadrat nga fillimi. Kam ndërtuar ekipe si Dinamo dhe Vllaznia, dy nga skuadrat më të mira që kam drejtuar në karrierën time, por edhe shumë ekipe të tjera në rrethe, në Kategorinë e Parë dhe të Dytë. Në Vlorë kuptohet që buxheti është shumë i madh dhe dy janë elementët kryesorë për ndërtimin e një skuadre që vjen nga Kategoria e Parë: Trajneri dhe futbollistët që do të marrësh. Në këtë drejtim u punua dobët. Ti mund të marrësh një trajner që ka punuar në futbollin shqiptar, që e njeh kampionatin dhe ambientin ku do të ndërtojë skuadrën. Por kur merr një trajner dhe një grup të madh lojtarësh që nuk kanë lidhje me futbollin shqiptar, sado i madh të jetë buxheti, nuk mund të ndërtosh një skuadër kompetitive. Unë ua kam thënë edhe miqve të mi në Vlorë se duhet të ndërtohet një skuadër që di të luajë për fanellën. Ka shumë futbollistë që, me një buxhet të përgjysmuar, mund të bënin një ekip që ta përfaqësonte shumë më mirë Flamurtarin. Kjo lidhet drejtpërdrejt me grupin e lojtarëve dhe me trajnerin. Aty u bë gabimi kryesor. Trajneri mori lojtarë që nuk e njihnin ambientin dhe kjo duket qartë sot, me largimin masiv të futbollistëve. Unë shikoj mërzitje edhe te stafi dhe te presidenti i Flamurtarit, i cili ka qenë shumë aktiv në rrjetet sociale. Tashmë ka një tërheqje dhe kjo tregon zhgënjimin e madh, i cili më pas transmetohet edhe te tifozët vlonjatë. Unë jetoj në Tiranë dhe kam shumë tifozë vlonjatë këtu, që janë me zemër dhe shpirt me Flamurtarin. Ata më pyesin: ‘Çfarë do t’i bëjmë Flamurtarit?’ Unë u them: Flisni me vlonjatët atje, me brezin ‘e artë’, që janë djem të shkëlqyer”, shprehet Canaj.
KËSHILLA Ish-trajneri dhe ish-futbollisti i Flamurtarit thekson se ajo që duhet të bëjë tani skuadra është t’u japë më shumë personalitet lojtarëve. Sipas tij, Flamurtari ende nuk e ka identitetin e vet.
“Duhet t’u sjellin personalitet këtyre futbollistëve që janë. Flamurtarin e kam parë edhe kundër Tiranës, Bylisit, por edhe Elbasanit. Është një skuadër që ende nuk ka identitetin e saj, pasi ndryshimet e mëdha e kanë penguar këtë. Nuk ka stabilitet”, thotë Canaj.
Ai komenton edhe deklaratat e trajnerit Moriero pas ndeshjeve, ku shpesh shprehet: “Një humbje është, ecim përpara”. Sipas Canajt, italiani duhet të marrë më shumë përgjegjësi. “Edhe mua më bëri përshtypje. (Qesh) E vetmja gjë që mund të bësh është të marrësh përgjegjësitë e tua si trajner. Për të mbajtur atmosferën e duhur, duhet të marrësh përgjegjësi”, thekson ish-futbollsiti vlonjat i Dinamos.
KAMPIONATI SHQIPTAR Agim Canaj analizon edhe kampionatin shqiptar, duke shprehur keqardhjen për ndryshimet në rregullore lidhur me lojtarët e huaj, të cilat sipas tij po dëmtojnë futbollistët vendës. “Ajo që ndodh në fushë reflektohet edhe në tribunë. Emocioni kryesor i një futbollisti është të luajë para një stadiumi plot. Sot shikoni ndeshje si Tirana-Flamurtari, ElbasaniDinamo, apo edhe Vllaznia e Partizani, skuadra që dikur mbushnin stadiumet me 10- 15 mijë tifozë. Kjo tregon mungesë interesi. Ky mosinteres lidhet drejtpërdrejt me nivelin dhe cilësinë e skuadrave. Ne me keqardhje kujtojmë brezat tanë. Brezi ’81- ’91 sot kujtohet dhe duartrokitet ende në stadiume. Futbolli shqiptar ka shumë momente që nuk e kënaqin sportdashësin dhe kjo është kthyer në një lloj mode. Ka vite që futbolli nuk ka më interes dhe duhet një ristartim i ri. Ajo që më ka shqetësuar gjithmonë është limiti i lojtarëve të huaj. Futbolli shqiptar dhe talentet tona do ta kenë shumë të vështirë të aktivizohen. Kjo mund ta zgjidhë hallin për momentin, por problemi kryesor mbetet rruga e futbollistëve shqiptarë për të arritur nivelet që ne gjithmonë kërkojmë”, përfundon Canaj.
PANORAMASPORT.AL













