Ish-lojtari i Partizanit: Luaj si “dem” kundër Tiranës, Vora nuk ka rrugë tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2026 | 20:18

Ish-lojtari i Partizanit: Luaj si “dem” kundër Tiranës, Vora nuk ka rrugë tjetër

Edhe pse nuk e ka formulimin e plotë të një derbi, beteja për mbijetesën e bën që përqendrimi të jetë maksimal, këtë të diel në duelin Tirana – Vora, që mesa duket do të jetë një miniderbi “i çmendur”. Kur na ndajnë edhe 4 ditë nga kjo përballje të dyja skuadrat janë fokusuar tek kjo ndeshje, “liri a vdekje” për të dy ekipet.

zuna

Synimet – E skuadra e Vorës po vijon me përgatitjet, për të qenë sa më të gatshëm në këtë ndeshje ndaj një rivali direkt në luftën për mbijetesën. E këtë herë nuk kanë ndërmend të bëjnë vetëvrasje siç ka ndodhur me disa ndeshje të fazës së tretë në stadiumin e Vorës me Elbasanin e Dinamon dhe e pafalshme lënia e dy pikëve me Partizanin javën e kaluar.

RIKTHIMI I HENRI ZUNËS – Mbrojtësi i djathtë vorak, 22-vjeçari Henri Zuna, që u formua si futbollist në akademinë “Tirana” që në moshën 11 vjeçare dhe u bë profesionist në shkollën e mjeshtërisë “Loro Boriçi”. Ndërsa me të rriturit e nisi karrierën, duke u bërë pjesë e tre ekipeve, Partizanit, Kastriotit dhe Vorës, me të cilët ka luajtur gjithsej 87 ndeshje, ku 42 prej të cilave i takojnë ndeshjeve në kategorinë Superiore. Pas largimit nga Partizani ai erdhi tek Vora në një pozicion të pazëvendësueshëm dhe është bërë pika më kyçe e kësaj skuadre debutuese, duke u aktivizuar në 25 ndeshje kampionati gjatë këtij sezoni me Vorën.

PRONONCIMI – Henri Zuna, që ka vuajtur shumë nga dëmtimet, duket se këtë radhë do të jetë pika kryesore e mbrojtjes. Ai gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” flet me bindje se Vora e tij, do ta fitojë këtë përballje të luftës së mbijetesës, duke qenë se frymëzimi i vjen, që nga koha kur ka luajtur në derbin e madh kur ishte pjesë e Partizanit.

“Kundër Tiranës, luaj si një “dem”, pasi frymëzohem nga koha kur luaja derbin e parë kur isha pjesë e Partizanit. Vora në këtë përballje nuk ka rrugë tjetër, përveçse të fitojmë tre pikëshin. Ai për ne është rivali kryesor që duhet lënë prapa nëse duam të mbijetojmë. Edhe këtë mund ta konsideroj si një miniderbi të kryeqytetit dhe interesimi do të jetë i madh.

E kësisoj derbet kurdoherë dhurojnë emocione e për më tepër, kur ndeshen dy skuadra që janë në pozicione mbijetese dhe rivale për njëra-tjetrën në këtë luftë. Pikërisht kjo pjesë na karikon dhe na jep njëqind mijë arsye për ta fituar këtë takim. Gjatë gjithë kohës e kemi trajtuar me shokët e skuadrës këtë fakt, jo vetëm si një ndeshje e radhës, pasi për ne konsiderohet si një nga finalet e mbijetesës që duhet fituar.

Ndërsa motivimi na vjen në mënyrë krejt natyrale, pa imponim. Vora ka një grup lojtarësh që nuk i druhen dhe nuk ja kanë frikën asnjë kundërshtari, pasi në çdo ndeshje, ne e konsiderojmë në çdo përballje, si një kundërshtar, që duhet mundur”, ka deklaruar Zuna. Futbollisti i ka shënuar Tiranës, në ndeshjen e parë në atë fitore të pastër, të luajtur në Laç, kur vulosi shifrat 3-1 për Vorën.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL