Ish-i i Dinamos, Bardhi: Vorën e shpëton vetëm forca e grupit
Me seancën e fundit stërvitore të zhvilluar dje, Vora është gati për përballjen e sotme ndaj Dinamos, në ndeshjen e parafundit të vitit që do të luhet në stadiumin “Air Albania”. Për vorakët, objektivi është i qartë, të mos largohen pa pikë nga kryeqyteti, edhe pse një barazim nuk do t’i kënaqte plotësisht.

Vora ka treguar lojë të mirë gjatë këtij sezoni, me volum, qarkullim topi dhe raste për shënim, duke dominuar edhe ndaj kundërshtarëve kryesorë të elitës. Megjithatë, pikët kanë ardhur me “pikatore”, çka ka bërë që pozitat në renditje të jenë delikate. Aktualisht, Vora numëron 4 fitore, 4 barazime dhe 8 humbje, duke u renditur në vendin e 7-të me 16 pikë, si një vijë ndarëse mes ekipeve që synojnë “play-off”-in dhe atyre që luftojnë për mbijetesën.
Diferenca me Partizanin e vendit të gjashtë është -7 pikë, ndërsa grupi poshtë saj është ai i mbijetesës. Në këto kushte, alternativa e vetme për Vorën mbetet fitorja ndaj Dinamos. Në prag të kësaj sfide, ish-lojtari i Dinamos, Patrik Bardhi, dha një intervistë “për “Panorama Sport” ku analizon sfidën dhe Vorën.
Çfarë nuk shkoi ndaj Elbasanit, që Vora e pësoi në fund? Mendoj se në Elbasan fati ishte me kundërshtarin dhe jo me ne. Krijuam dy-tre raste të pastra që nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Elbasani përfitoi nga një mos përqendrim i ynë në çastin vendimtar, kur ne po mendonim për pikën, dhe na ndëshkoi. Kjo humbje na vuri në vështirësi, por kampionati është i gjatë dhe kemi kohë të rikuperojmë gabimet. Kjo na jep qetësi për ndeshjen e radhës.
Ku qëndron forca e Vorës dhe mbi çfarë bazoheni për mbijetesën? Forca jonë qëndron te grupi, disiplina dhe korrektësia si klub, që nga presidenti e deri te çdo hallkë drejtuese, stafi teknik dhe sidomos stafi mjekësor, i cili ka pasur shumë punë për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar. Ne si futbollistë jemi kompaktë, kemi marrëdhënie shumë të mira dhe jemi si një familje.
Si e vlerësoni ecurinë deri tani? Edhe pse jemi debutues në Superiore, kemi në përbërje lojtarë me eksperiencë në këtë nivel. Mendoj se në këto 16 javë kemi bërë një ecuri të mirë. Kemi zhvilluar ndeshje shumë cilësore, por shpesh nuk kemi marrë atë që kemi merituar, për shkak të dëmtimeve, ndeshjeve jashtë fushe dhe ndonjëherë edhe vendimeve të gjykimit. Gjithsesi, kemi arritur të jemi këtu ku jemi.
Çfarë mund të thoni për Dinamon, kundërshtarin e radhës? Dinamo është një kundërshtar shumë i fortë. E kam thënë edhe më parë që ndeshjet më të vështira për ne kanë qenë ndaj Egnatias dhe Dinamos në fazën e parë. Janë skuadra të forta, të kompletuara taktikisht dhe teknikisht. Do të na duhet një sforcim i jashtëzakonshëm për të marrë rezultat pozitiv.
A keni emocione të veçanta përballë një ish-ekipi si Dinamo? Normalisht ka emocione, sepse takon ish-shokët e skuadrës dhe njerëz me të cilët ke ndarë shumë. Por në fushë jemi profesionistë. Respekti është para dhe pas ndeshjes, ndërsa gjatë 90 minutave jemi kundërshtarë dhe japim maksimumin.
Si ndiheni personalisht para kësaj sfide? Pavarësisht disa shqetësimeve fizike që kam pasur, ndihem mirë dhe i gatshëm sa herë që trajneri dhe skuadra kanë nevojë për mua. Do të jap maksimumin për ekipin.
Si e prisni ndeshjen dhe çfarë rezultati synoni? Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Dinamo është një skuadër e fortë me një trajner profesionist, por edhe ne futemi gjithmonë në fushë për fitore. Nuk dua të flas për rezultate konkrete, por jam i bindur se nga kjo ndeshje Dinamos do t’i marrim pikë.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













