Ilir Dajës nuk i ndahen mungesat, dilema për formacionin anti-Vora
Dinamo do të luajë sot në “Arenën e Demave” kundër Vorës, në kuadër të javës së tetë të Superiores.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, do të synojë të rikthehet te fitorja pas barazimit të fundit në transfertë ndaj Egnatias, teksa mungesat e shqetësojnë sërish edhe në këtë sfidë. Lorran nuk do të jetë në dispozicion të Dinamos për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen e fundit të kampionatit, ndërkohë që as Karamba nuk ia ka dalë që të jetë i gatshëm për sfidën e sotme. Në kushte të tilla, Daja do të detyrohet që të bëjë ndryshime në mbrojtje dhe në mesfushë.
Nga minuta e parë, Teqja do të mbrojë portën e Dinamos, i ndihmuar nga Neziri në të majtë e Meksi në të djathtë. Në qendër, Aliji dhe Dita do të kompletojnë katërshen mbrojtëse. Në mesfsushë, pritet që të rreshtohen Gudiabi, Vila dhe Qefalija ndërkohë që Nani dhe Bregu do të ndihmojnë Guindon në majë të sulmit. Sfida e sotme ndaj Vorës, do të nisë në orën 14:00.

PANORAMASPORT.AL













