Ilir Daja mungon, Tetova snobon mediat. Çfarë ndodhi në shortin e Final Four

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2025 | 9:10

Ilir Daja mungon, Tetova snobon mediat. Çfarë ndodhi në shortin e Final Four

Paraditja e 29 prillit mblodhi, në sallën e konferencave në FSHF, drejtues dhe trajnerë apo presidentë të klubeve të Superiores, të cilit kishin ardhur me një qëllim. Shorti t’iu tregonte rivalin që do të kishin përballë si pengesë në rrugën për titullin kampion.

bandicam 2025-04-30 09-10-08-132

Edhe pse fillimi i shortit ishte caktuar në orën 12:00, shqiptarët nuk i kanë marrëdhëniet e mira me oraret, kështu që ceremonia filloi me disa minuta vonesë. I fundit që pritej ishte presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Pasi numri një i federatës hyri në sallë, ai fillimisht takoi trajnerët e pranishëm, Gega (Partizani), Brdariç (Vllaznia) dhe Tetova (Egnatia). Më pas, Duka u drejtua për te karrigia e tij, ngjitur me dy presidentët, Gazmend Demi i Partizanit dhe Agim Demrozi i Egnatias, të cilët po ashtu i takoi.

Të dy numrat një të klubeve ishin ulur së bashku, duke e manifestuar në njëfarë mënyre se shorti do t’i vinte përballë edhe në fushë. Nuk munguan as batutat, teksa Demrozi tha: “Prapë bashkë ne, të kishim luajtur në finale”. Ndërkohë, ata morën edhe urimet e të pranishmëve në sallë. Në përfundim të shortit që u moderua nga psikologia Lenida Halilaj dhe me procedurën u mor Shefi i Departamentit të Garave, Marjus Sulejmani, të katërta ekipeve iu dhurua një souvenir, një pllakë xhami, në të cilën ishin shënuar emrat e skuadrave që merrnin pjesë në “Final 4”.

DAJA MUNGON

Ajo që ra në sy gjatë ceremonisë së shortit, ishte mungesa e trajnerit Ilir Daja, ndërkohë që homologët e vet: Tetova, Gega dhe Brdariç nga Shkodra, ishin të pranishëm në sallë. Me sa duket, trajneri i Dinamos e snoboi pjesën e shortit, jo sepse nuk di që të flasë përpara mediave, por sepse në atë orar ishte i zënë duke zhvilluar seancën e radhës stërvitore me skuadrën e tij, të cilën nuk mund ta zhvendoste me 1 orë, aq sa zgjati edhe ceremonia e shortit. Në sallë mungoi edhe presidenti i Dinamos dhe ai i Vllaznisë, megjithëse këta të fundit u përfaqësuan nga drejtori sportiv, Tefik Osmani, dhe trajneri Brdariç.

TETOVA HESHT

Një tjetër episod i çuditshëm ndodhi gjatë shortit. Në përfundim, trajnerët prezent do të jepnin një prononcim të shkurtër për mediat e pranishme në sallë, për shenjë edhe respekti të punës së tyre. Pasi përfundoi fjalën e tij Armand Duka, para mikrofonave erdhi Skënder Gega i Partizanit dhe më pas Thomas Brdariç.

Më tej, teksa të gjithë gazetarët prisnin Edlir Tetovën, trajneri i Egnatias u largua. Përpara mediave u shfaq zëdhënësi për shtyp, Xhevdet Zekaj, i cili pati edhe një përplasje me gazetarët, sepse është ai që bën lidhjen mes trajnerit dhe mediave, por pasi e pa që Tetova nuk e kishte me qejf të fliste, doli dhe u prononcua vetë. Megjithatë, për diçka të tillë duhej edhe ndërhyrja e federatës, për të ruajtur imazhin e “Final 4”, por edhe sepse ishte ajo organizatorja e ceremonisë së shortit.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL