Ikën opsioni i shtimit të skuadrave, tri çështje për t’u zgjidhur te Bylisi para fazës përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2026 | 16:00

Ikën opsioni i shtimit të skuadrave, tri çështje për t’u zgjidhur te Bylisi para fazës përgatitore

Në Ballsh, javën që vjen pritet që të ulen dhe të diskutojnë krerët e klubit për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Bylisi do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë, me ballshiotët që do të kenë ambicie për më shumë, ndonëse konkurrenca pritet të jetë shumë e fortë.

bylis

Në Ballsh parashikohet që brenda këtij muaji të vendosen pikat kryesore të projektit të ri. Janë tri çështje kryesore që po diskutohen dhe që po marrin vëmendjen e klubit, trajneri, merkatoja në dalje dhe në hyrje, si dhe infrastruktura. Bylisi i sezonit të ri pritet të ndryshojë ndjeshëm krahasuar me edicionin e shkuar, edhe për shkak të largimeve dhe shitjeve të disa lojtarëve kryesorë.

JOSA – Në klub vlerësohet puna e mirë që ka bërë trajneri Mirel Josa në elitë, si dhe eksperienca dhe aftësia e tij për të menaxhuar grupin dhe për të promovuar lojtarë të rinj. Për sezonin e ri, Josa shihet si një opsion i fortë dhe me peshë, pasi eksperienca e tij mund ta ndihmojë shumë Bylisin në objektivin për t’u rikthyer në elitë. Megjithatë, presidenti Besnik Kapllanaj njihet për surpriza në zgjedhje, duke sjellë shpesh trajnerë me emër si nga tregu vendas, ashtu edhe nga ai i huaj.

Sa i përket merkatos, klubi pritet të nisë punën me grupin aktual të lojtarëve që do të mbeten në Ballsh, si dhe me futbollistët që do të rikthehen nga huazimet, së bashku me afrime nga ekipi B dhe U-19. Organika pritet të pësojë ndryshime të mëdha krahasuar me një sezon më parë, me synimin për të ndërtuar një skuadër më konkurruese. Në Ballsh tashmë është hedhur hapi i parë drejt projektit të ri, ndërsa shumë shpejt pritet që të finalizohet plani i plotë për sezonin e ardhshëm.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL