I bindur për të ardhmen, Toli beson te Teuta: Nuk premtojmë shumë, por i realizojmë synimet
Dy ditë para nisjes së kampionatit, mesfushori Ardit Toli flet për gjendjen e skuadrës, pritshmëritë për sezonin e ri dhe sfidën e parë ndaj Partizanit.
Teuta po përgatitet intensivisht për nisjen e sezonit të ri futbollistik, ndërsa entuziazmi dhe atmosfera pozitive duken të pranishme në kampin durrsak. Mesfushori i sapoardhur, i cili këtë vit do të veshë fanellën e “Djemve të detit”, shprehet i kënaqur me gjendjen aktuale të ekipit dhe optimist për objektivat që janë vendosur.
GJENDJA E SKUADRËS “Jemi duke bërë stërvitje të mira me kushte shumë të mira. Temperaturat janë normale dhe nuk kemi pasur atë të nxehtin e verës që na ka shoqëruar më parë. Përgatitemi çdo ditë me përkushtim dhe mbi të gjitha, gjendja e ekipit është e mirë, pasi nuk kemi dëmtime.”
INTEGRIMI PERSONAL “Jam duke u ambientuar shumë mirë te Teuta. Është klubi perfekt për të mësuar shumë gjëra. Ndihem shumë mirë këtu dhe do të jap gjithmonë maksimumin tim për këtë fanellë.”
PËR MIQËSOREN ME KUKËSIN Teuta zhvilloi një test të fundit miqësor ndaj Kukësit, që sipas Tolit ka pasur më tepër funksion stërvitor. “Miqësoret janë për të parë gjendjen fizike të lojtarëve. Kemi kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe deri në nisjen e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.”
NDESHJA E PARË ME PARTIZANIN Shorti i ka rezervuar Teutës një duel të fortë në start, në transfertë ndaj Partizanit. “Çdo ndeshje është e vështirë në këtë kampionat. Partizani ka ardhur nga një sezon i mirë dhe është skuadër cilësore, por ne do të përgatitemi maksimalisht për ta nisur mbarë”, theksoi Toli.
OBJEKTIVAT E SEZONIT Qëllimi i Teutës për këtë sezon është i qartë: të kapë zonën europiane. “Ekipi po i përgjigjet shumë mirë kërkesave të stafit teknik. Kjo na jep besim për një fillim pozitiv. Objektivi është që të renditemi në vendet e para për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League. Ne nuk bëjmë premtime, por flasim në fushë”, u shpreh mesfushori.
SYNIMET PERSONALE Në aspektin personal, Toli ka një dëshirë të qartë: “Normalisht, synimi im është të fitoj një trofe me Teutën. Dua të zhvilloj ndeshje sa më të mira dhe të ndihmoj skuadrën time për të qenë edhe më e fortë se një sezon më parë.”
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













