Himallari, Vata e Malaj shkruajnë historinë! “Made in Partizani” në Europë, Gega guxon me një skuadër plot adoleshentë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2025 | 11:28

Himallari, Vata e Malaj shkruajnë historinë! “Made in Partizani” në Europë, Gega guxon me një skuadër plot adoleshentë

Në një mbrëmje të ftohtë korriku, Partizani u paraqit në Talin me një formacion që e kishte moshën mesatare vetëm 23 vjeç. Por më shumë se sa mosha, ajo që binte në sy më 10 korrik ishte identiteti. Në fushë, përkrah titullarëve si Qirko dhe Skuka, kishte vend për një brez të ri lojtarësh të rritur brenda shtëpisë së kuqe.

Screenshot 2025-07-16 112736

Tedi Malaj sapo ka mbushur 18 vjeç, ishte më i riu në formacionin titullar. Nga stoli u hodhën në fushë dy 16-vjeçarët Elson Himallari dhe Dion Vata. Rezultati përfundimtar i ndeshjes për turin e parë të Ligës së Konferecës ishte 1 me 1. Dhe në fund, kryefjalë mbeti guximi i trajnerit Gega për të aktivizuar të rinjtë.

TRESHJA- Malaj, Himallari dhe Vata kanë kaluar nëpër filtrat e akademisë së Partizanit. Himallari dhe Vata janë pjesë e të kuqve nga ekipet U-13 dhe deri tek U-16. Nën drejtimin e trajnerit Algert Hurdha, qëndrojnë nga grupmosha U-14 ku numërojnë edhe dy tituj kampionë. “Ishte emocion i madh, por edhe krenari profesionale”, rrëfen Hurdha për debutimin e djemve të tij në Europë. Ai kujton se të dy lojtarët dallonin që në ndeshjet e para.

Himallari si sulmues vrastar që shënonte rregullisht dhe Vata si lider natyral në fushë, i aftë të lidhte repartet. “Janë fëmijë me ego për të fituar, nuk e pranojnë humbjen”, shton ai duke treguar çfarë i karakterizon. Malaj që luajti titullar u afrua te Partizani si 16-vjeçar me kuqezinjtë e vegjël dhe besimin e madh. Drejtori i akademisë, Genc Tomori, ishte në tribunën e stadiumit në Estoni për të ndjekur nga afër këtë moment të rrallë dhe historik. Ai e sheh përfshirjen e këtyre elementëve si shpërblim për një punë të gjatë dhe të strukturuar në akademi. Të aktivizohesh në Europë në moshën 16-vjeçare nuk është fundi, është fillimi. Tani nis më e vështira për ata, është çfarë lë të kuptohet Tomori.

PROFILI- Me lojtarë si Malaj, Vata e Himallari, Partizani po ndërton një profil të ri nën drejtimin e trajnerit Gega. Të guximshëm, të vetin dhe me rrënjë nga akademia. Një brez që nuk premton vetëm për të ardhmen, por po i jep zë edhe së tashmes, pasi në fundin e ndeshjes dolën nga fusha e blertë Malaj, Himallari dhe Vata.

Për Partizanin, duket se ky nuk është thjesht një shfaqje besimi ndaj të rinjve, por një projekt i mirëfilltë. Akademia nuk shfaqet tashmë vetëm si furnizues i skuadrës së parë, por themeli mbi të cilin po ngrihet një model. Dhe frytet vijnë nga brezi që ka kushtet për t’u stërvitur në kompleksin Partizani. Bashkë me Buxhelajn dhe Koten, por edhe Rifën dhe Qokthin nga stoli, emrat e aktivizuar tregojnë qartë se e ardhmja ka filluar të japë frytet. Dhe është “Made in Partizani”.

Screenshot 2025-07-16 112559

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL