Halili kërkon ndryshim, Tirana synon trofe. Titulli mungon prej tre viteve në kryeqytet
Objektivi është titulli, por Tirana e këtij sezoni duhet të kualifikohet në Europë dhe të fitojë një trove. Ky është objektivi i klubit bardheblu për sezonin 2025-2026.
Tirana do të përballet këtë fundjavë me Vorën, me synimin e qartë për të marrë fitoren e parë në kampionat dhe për të mos përsëritur të njëjtin start si sezonin e shkuar, kur tri pikët e para u arritën vetëm në javën e shtatë të kampionatit. Pas një përgatitjeje intensive verore, skuadra bardheblu duket e gatshme për sfidën e dytë, teksa stafi teknik ka analizuar me kujdes kundërshtarin dhe ka punuar në detaje taktike për të siguruar një performancë ndryshe nga kampionati i shkuar.
Para nisjes së sezonit, presidenti i klubit, Refik Halili, takoi skuadrën dhe i kërkoi që ky kampionat të jetë ndryshe. Ai nënvizoi se objektivat nuk janë vetëm kualifikimi në “Final 4” dhe pjesëmarrja në Europë, por edhe fitimi i një trofeu, ndonëse synimi kryesor mbetet rikthimi i titullit kampion, i cili mungon prej tre sezonesh te bardheblutë. Ky sezon duhet të tregojë ndryshimin e ekipit dhe përkushtimin e lojtarëve.
“Pres nga të gjithë lojtarët të japin maksimumin që nga ndeshjet e para dhe të tregojnë karakter”, mësohet të ketë thënë Halili në mbledhjen para Bylisit, duke shtuar se pritshmëritë janë të larta për të gjithë skuadrën.
Trajneri i Tiranës, së bashku me stafin teknik, po punon për të gjetur formacionin më të mirë dhe për të garantuar një ndeshje pozitive në kampionat ndaj vorakëve, pas barazimit me Bylisin. Loja me Vorën konsiderohet një test i rëndësishëm. Fitorja e parë është gjithmonë një motiv shtesë për çdo skuadër, duke ngritur moralin dhe duke krijuar një atmosferë pozitive në grup.
Për bardheblutë, tri pikët e para janë një mënyrë për të nisur sezonin me besim dhe për të treguar se Tirana do të jetë një protagonist serioz në garën për titull dhe në objektivat europiane. Tifozët bardheblu presin me padurim këtë sfidë dhe prania e tyre në stadium pritet të jetë një shtysë shtesë për lojtarët.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













