Halili do “Final 4”, trajneri me këmbë në tokë/ Presidenti beson te pjesa e sipërme
Presidenti Refik Halili i ka vendosur objektiva të qartë skuadrës. Kërkon që ekipit të jetë në “Final 4”, ose të paktën e beson që kjo gjë mund të arrihet. Këtë ia ka shprehur edhe trajnerit të sapokthyer Bledi Shkëmbi.
Ky i fundit, gjithsesi nuk është nxituar dhe i ka shprehur presidentit bardheblu se në fillim skuadra ka si objektiv ikjen nga fundi i tabelës ose zonën e rrezikut. Më pas mund të mendohet për gjëra të tjera siç është një vend mes katër më të mirëve.
SITUATA – Tirana do të luajë të shtunën, një sfidë mjaft delikate në transfertën e Bylisit. Vetëm fitorja bën punë, për të vazhduar misionin mbijetesë. Një mungesë e sigurt për këtë sfidë do të jetë ajo e Aldi Gjumsit, që u rikthye në verë te bardheblutë. Ky i fundit plotësoi numrin e kartonëve në sfidën ndaj Egnatias.
Kështu Bledi Shkëmbi duhet të bëjë pa 22-vjeçarin, që e ka përdorur në disa ndeshje si titullar më parë. Në anën tjetër Tirana vuan dhe problemet me dëmtimet. E sigurt është që në sfidën me Bylisin do të mungojë Rimal Haxhiu, i cili është i dëmtuar në gju. Edhe Ermal Meta vazhdon të jetë me të vjella dhe nuk dihet se kur do të marrë veten. Lajm i mirë nga Abel Abah, i cili do të jetë sot i gatshëm në stërvitje. Nga ana tjetër, Gledi Mici ka probleme me shpinën dhe rrezikon të mos luajë ndaj Bylisit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"