Gvozdenoviç me këmbë në tokë: S’kemi frikë, stadiumi nuk bën diferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2025 | 9:42

Gvozdenoviç me këmbë në tokë: S’kemi frikë, stadiumi nuk bën diferencën

Para përballjes së rëndësishme me Dinamon, Elbasani vjen në një moment të mirë forme, i qetë në aspektin psikologjik dhe me besimin e ngritur pas katër fitoreve radhazi.gvozdenoviccTrajneri Ivan Gvozdenoviç, i cili ka rikthyer stabilitetin dhe ritmin pozitiv në skuadër, shfaqet i përqendruar dhe realist, duke theksuar se kampionati është i gjatë dhe nuk ka vend për eufori, pavarësisht serisë së rezultateve pozitive. Sfida ndaj Dinamos, e cila luhet në Tiranë, shihet si një test i radhës për të kuptuar konsistencën e ekipit dhe aftësinë për të përballuar skuadra me pretendime.

Gvozdenoviç tregon qetësi dhe besim te grupi i tij, duke theksuar se fusha nuk përbën problem për Elbasanin dhe se skuadra është gati të japë maksimumin pavarësisht kundërshtarit. Në intervistën e dhënë për mediat, tekniku verdheblu flet për gjendjen e ekipit, mungesat, formën e mirë të sulmuesve dhe objektivin kryesor, qëndrueshmërinë dhe lojën e bukur që Elbasani ka shfaqur javët e fundit.

Si vjen skuadra para kësaj ndeshjeje?

Për ne është gjithçka në rregull para ndeshjes me Dinamon. Do të kryejmë edhe stërvitjen e fundit dhe më pas, së bashku me stafin, do të vendosim për formacionin. Mungesa e vetme është ajo e Lulajt, për shkak të kartonëve.

Luani në Tiranë, si e prisni përballjen?

Nuk kemi asnjë problem me fushën. Qoftë në Tiranë, qoftë në Elbasan, për ne është e njëjta gjë. Jemi gati çdo javë dhe fusha nuk ka rëndësi. Sigurisht është mirë për të dyja skuadrat që ndeshja luhet në një stadium me kushte të mira.

A do t’ju kënaqte edhe barazimi me Dinamon, apo Elbasani luan vetëm për fitore?

Nuk mund të flas për rezultatin, sepse një ndeshje i ka të tria mundësitë: fitore, barazim apo humbje. Ne jemi Elbasani dhe gjithmonë do të provojmë të luajmë futboll të bukur dhe të bëjmë maksimumin në fushë. Kështu do të bëjmë edhe nesër (sot), duke dhënë më të mirën.

Keni 4 fitore rresht. A është ky momenti më i mirë i skuadrës, apo prisni edhe më shumë?

Ne jemi të fokusuar çdo javë për të marrë pikët. Djemtë i meritojnë të gjitha, së bashku me stafin dhe me këto katër javët e fundit normalisht që jemi të kënaqur, sepse kemi bërë mirë. Por nuk duhet të harrojmë se kampionati është i fortë dhe i gjatë dhe deri tani nuk kemi fituar asgjë. Nuk ka nevojë për eufori. Jemi me këmbë në tokë dhe mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës.

Në ndeshjet e fundit golat kanë ardhur nga sulmuesit. A është kjo një shenjë e mirë?

Është pozitive kur shënojnë sulmuesit, sepse ata janë aty për të bërë gola. Si për ta, ashtu edhe për ne është gjë e mirë. Por unë, si trajner, nuk e kam shumë të rëndësishme se kush shënon. E rëndësishme është skuadra dhe fitorja. Jam i kënaqur si me sulmuesit, ashtu edhe me të gjithë lojtarët.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL