Gvozdenoviç analizon ndeshjen e Elbasanit: Rezultati nuk më pëlqen, por keq nuk e them që jemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2025 | 13:20

Gvozdenoviç analizon ndeshjen e Elbasanit: Rezultati nuk më pëlqen, por keq nuk e them që jemi

Edhe pse rezultati nuk ishte maksimal, loja dha sinjale pozitive për trajnerin Ivan Gvozdenoviç, i cili pas ndeshjes dha vlerësimet e tij për paraqitjen e skuadrës dhe mbështetjen e tifozëve. “Po t’i referohemi rezultatit, nuk jemi shume të kënaqur. Megjithatë, në momentin ku ndodhemi pas tri javësh përgatitje, nuk mund të them që jemi keq.

ELBASANI GVOZDENOVIC

Për mendimin tim, ishim skuadra më e mirë që dominuam. Ndoshta me Loukilin në pjesën e parë mund të shkonim në 2-0. Jam pak i mërzitur për golin e parë që shënoi Pogradeci, sepse ishte një gabim i vogël i yni. Si nga ana taktike, edhe fizike jam i kënaqur, edhe nga djemtë që u aktivizuan në pjesën e dytë, sepse reaguam mirë, duke pasur edhe tre-katër lojtarë nga akademia”, u shpreh fillimisht tekniku i Elbasanit.

Në lidhje me mbështetjen e tifozëve dhe presionin që ata bëjnë mbi skuadrën, ai e konsideroi si pozitiv, sepse e motivojnë më shumë atë. “Është mirë për ne kur kemi ‘presionin’ e tifozëve, sepse kemi nevojë për pak presion, si stafi ashtu edhe lojtarët. Nuk është e thjeshtë të mbash veshur bluzën e Elbasanit. Presioni është normal në futboll. Tifozët treguan edhe në këtë ndeshje se ata janë gjithnjë pranë nesh, ndaj është një presion që na motivon”, pohoi Ivan Gvozdenoviç.

PANORAMASPORT.AL