Gol, lot, duart nga qielli dhe… një “spektator hyjnor”/ Shikoni pikantet e sfidës Teuta-Bylis
Ndeshja mes Teuta Durrës dhe Bylis Ballsh nuk prodhoi vetëm futboll, por edhe emocione të forta, tension në pankina dhe dialogë pikantë që pasqyruan presionin e rezultatit. Nga shiu para ndeshjes te nervozizmi i trajnerëve dhe festimi final, gjithçka u përjetua me intensitet maksimal.

KOTOBELLI – Pak ditë më parë, kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, humbi të atin. Mes dhimbjes, ai gjeti forcën për të qenë protagonist në fushë dhe realizoi golin vendimtar nga goditja e dënimit, një realizim që e përjetoi me lot në sy. Me duart nga qielli, ia dedikoi golin babait të tij, “spektatorit” nga një tribunë hyjnore, në një nga momentet më prekëse të sezonit për durrsakët.
FJALIMI NË SHI I DOBIT – Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, mblodhi ekipin në qendër të fushës pas fitores 2–1. Ndonëse shiu binte pa pushim, lojtarët e dëgjonin me përqendrim maksimal. “Të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë karakter, të japim maksimumin dhe fitoret do të vijnë”, mësohet t’u ketë thënë tekniku, duke e kthyer fitoren në një mesazh motivimi për vijimësinë.
FUSHË PERFEKTE – Para ndeshjes, një shi i rrëmbyer pushtoi stadiumin, por terreni i lojës mbeti në kushte optimale dhe nuk mbajti ujë, duke lejuar zhvillimin normal të takimit.
DOBI, REGJISORI – Gjatë lojës, zëri i Dobit dëgjohej qartë: “Boçi, Boçi, nda shpejt me topin, një-dy dhe ik në krah!”, ishte një nga udhëzimet e tij, ndërsa kërkonte qarkullim më të shpejtë dhe shfrytëzim të hapësirave.
JOSA I REVOLTUAR – Në krahun tjetër, trajneri i Bylisit, Mirel Josa, nuk i kurseu thirrjet ndaj të tijve: “Hajde, ej o çuna, zgjohuni pak!”, dëgjohej nga stoli në momentet kur skuadra kërkonte reagim. Pak më vonë, pakënaqësia me arbitrimin ishte e dukshme: “Po pse neve na jep karton ky Hamiti dhe një rast të tillë nuk ia jep kundërshtarit?”, dëgjohej nga pankina ballshiote, mes tensionit të minutave vendimtare.
QETËSI NË SEKONDAT E FUNDIT – Në minutat përmbyllëse, pankina e Teutës përpiqej të ruante gjakftohtësinë: “Qetë djema, qetë, kanë mbetur edhe 20 sekonda lojë, mos u nxitoni”, ishte mesazhi për të administruar avantazhin deri në fund.
Në vërshëllimën përfundimtare, përqafimet dhe duartrokitjet në stolin e Teutës ishin dëshmi e një suksesi të shumëpritur, që përveç tri pikëve, solli edhe një çlirim emocional për skuadrën durrsake.
PANORAMASPORT.AL













