FOTO/ “S’ka vari VAR-in këtë javë”, Guranjaku “thumbon” drejtorin e Egnatias
Drejtori i Elbasanit, Elton Guranjaku, ka reaguar pas barazimit 2 me 2 ndaj Egnatias në transfertë, teksa nuk kanë munguar “thumbimet” për drejtorin e klubit rrogozhinas, Klejdi Zenelaj, i cili pas humbjes ndaj Vllaznisë javën e shkuar shkroi në rrjetet sociale, “Vari VAR-in”. Por ironia e fatit bëri që sot të ishte pikërisht VAR-i ai që i dha barazimin 2-2 në përballjen ndaj Elbasanit, teksa luajti rol vendimtar në akordimin e dy penalltive për vendasit.

Këto vendime nuk kaluan pa polemika. Drejtori i Elbasanit, Elton Guranjaku, reagoi me ironi në një story në rrjetet sociale, duke përdorur shprehjen “ska vari varin këtë javë”, një thumb i drejtpërdrejtë ndaj deklaratës së bërë pak ditë më parë nga drejtori i rrogozhinasve, Klejdi Zenelaj.
Përtej ironisë, Guranjaku publikoi edhe disa pika nga rregullorja, duke iu referuar penalltisë së dytë të dhënë në favor të vendasve. Sipas pretendimeve, Olberkis fillimisht ka pasur kontakt me këmbë dhe vetëm më pas topi ka prekur dorën, situatë që sipas rregullores nuk duhet të ndëshkohet me 11-metërsh.

PANORAMASPORT.AL













