Karnevali me mision të madh te Juventusi, ja kushti i Xhon Elkan
Vetëm një sezon zgjati drejtimi i francezit Damien Komoli te “Zonja e Vjetër”. Emërimi i Xhovani Karnevalit në krye të Juventusit shënon nisjen e një epoke të re për klubin bardhezi. Pronari Xhon Elkan i ka besuar një nga drejtuesit më të vlerësuar të futbollit italian detyrën për të rikthyer Juventusin në nivelet më të larta, pas disa sezoneve zhgënjyese si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë ekonomik.

Shitjet, sfida e parë e drejtuesit të ri
Një nga objektivat kryesorë të Karnevalit do të jetë menaxhimi i merkatos në dalje. Gjatë viteve te Sasuolo, ai u dallua për aftësinë për të shitur lojtarë me fi time të konsiderueshme, por situata te Juventusi është shumë më komplekse. Klubi torinez ka investuar shuma të mëdha në disa futbollistë që nuk kanë arritur të justifi kojnë pritshmëritë. Emra si Kopmeiners, Openda, David apo Di Gregorio konsiderohen pjesë e dosjeve më të nxehta të merkatos. Synimi është që largimet e mundshme të mos sjellin humbje të mëdha financiare për klubin.
Merkato e ekuilibruar për Spaletin
Një tjetër detyrë e rëndësishme do të jetë ndërtimi i skuadrës sipas kërkesave të trajnerit Luçiano Spaleti, pa cenuar stabilitetin ekonomik të klubit. Juventusi synon të ndërtojë një ekip konkurrues, duke kombinuar futbollistë me eksperiencë dhe elementë cilësorë në çdo repart. Sipas planeve të drejtuesve sportivë, pritet të paktën një afrim i rëndësishëm për mbrojtjen, mesfushën dhe sulmin, me qëllim rritjen e nivelit të skuadrës dhe rikthimin në garën për trofe.
Besim te të rinjtë dhe projekti “Next Gen”
Një nga karakteristikat që ka shoqëruar karrierën e Karnevalit është puna me talentet e reja. Pikërisht për këtë arsye, Juventusi pret që projekti “Next Gen” të marrë një rol edhe më të rëndësishëm në vitet e ardhshme. Drejtuesi i ri beson se klubi duhet të investojë te lojtarët e rinj që vijnë nga akademia, por edhe te talentet që nuk kanë gjetur hapësira në klubet e mëdha europiane. Modeli i operacioneve si ai i Kenan Jildiz mund të përsëritet më shpesh në të ardhmen, duke i siguruar Juves lojtarë me potencial të madh e kosto të përballueshme.
Rikthimi i “bllokut blu”, prioriteti i Elkan
Kërkesa më e qartë e pronarit Xhon Elkan është rikthimi i identitetit italian në skuadër. Në periudhat më të lavdishme të historisë së saj, Juventusi ka qenë baza kryesore e Kombëtares italiane, ndërsa sot numri i futbollistëve italianë me rol protagonist është shumë më i vogël. Karnevali pritet të punojë për krijimin e një bërthame të fortë lojtarësh italianë, që mund të bëhen pika referimi si për klubin ashtu edhe për përfaqësuesen “axurre”. Përvoja e tij te Sasuolo, ku kontribuoi në rritjen e futbollistëve si Lokateli, Skamaka dhe Raspadori, konsiderohet një garanci për këtë projekt.
Një epokë e re për Juventusin
Objektivi i Karnevalit nuk është vetëm rikthimi i rezultateve sportive, por edhe ndërtimi i një Juventusi më të qëndrueshëm ekonomikisht dhe më të lidhur me traditën e tij. Fitoret, valorizimi i të rinjve dhe krijimi i një blloku të fortë italian janë shtyllat mbi të cilat do të ndërtohet projekti i ri bardhezi.
PANORAMASPORT.AL













