Ndizet merkato/ Dinamo “gjuan” në Kosovë, largohet mesfushori i Volfsburgut
Dinamo vijon përgatitjet teksa paralelisht po punon edhe me afrimet e mundshme dhe për të përcaktuar futbollistët që nuk do të jenë pjesë e projektit për sezonin e ardhshëm. Klubi blu ka hedhur sytë nga tregu kosovar për të përforcuar mesfushën, ndërsa njëkohësisht ka vendosur të mbyllë bashkëpunimin me Adrian Docin. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Gentrit Ramusa është një nga emrat që po vlerësohet seriozisht nga Dinamo.

Mesfushori 22-vjeçar i Ferizajt shihet si një profi l interesant për skuadrën e Ilir Dajës, sidomos në prag të angazhimeve europiane. Ramusa ka zhvilluar të gjithë karrierën e tij me Ferizajn, ku është aktivizuar me ekipin e parë që prej vitit 2022. Kontrata e tij me klubin kosovar përfundon në fund të këtij muaji, çka e bën një mundësi të favorshme në treg për skuadrat e interesuara. Mesfushori i qendrës dallohet për parametrat e tij fi zikë, me një gjatësi prej 1.87 metrash, ndërsa luan kryesisht me këmbën e majtë. Nga ana tjetër, Dinamo ka vendosur të mos vijojë bashkëpunimin me Adrian Docin.
Mesfushori ofensiv 21-vjeçar, i lindur në Gjermani dhe me të kaluar te akademia e Volfsburgut, erdhi te blutë në verën e vitit 2024 me pritshmëri të mëdha. Drejtuesit besonin se ai mund të ishte një investim me perspektivë, falë formimit të tij në futbollin gjerman dhe cilësive teknike që kishte shfaqur në të kaluarën. Megjithatë, aventura e tij te Dinamo nuk rezultoi ashtu siç pritej.

Doci nuk arriti të fitonte një rol të rëndësishëm në skuadër dhe nuk bindi stafi n teknik me paraqitjet e tij gjatë sezonit. Për këtë arsye, palët kanë vendosur të ndajnë rrugët, duke mbyllur bashkëpunimin pas vetëm një viti, pa arritur të lërë asnjë gjurmë me fanellën blu.
PANORAMASPOR.AL













