FOTO/ Fusha bëhet liqen, shikoni ku u stërvit skuadra e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2019 | 21:30

FOTO/ Fusha bëhet liqen, shikoni ku u stërvit skuadra e Lushnjës

Infrastruktura mbetet një problem i pazgjidhur për Lushnjën. Klubi i futbollit është jashtë vëmendjes së institucioneve lokale dhe qendrore, të cilat kanë në dorë buxhetet dhe rrjedhimisht investimet. Për një periudhë gati 30-vjeçare nuk ka asnjë lloj ndërhyrjeje në terrenet sportive, ku ekipi verdhejeshil stërvitet.

lushnja

Fushat janë ende ato të viteve ’90. Ndërtimi i gjimnazit “Vath Korreshi” dhe i murit të tij rrethues ngushtoi përmasat e fushës së Lushnjës. Dhe sikur të mos mjaftonte ky fakt, bari jeshil mund të konsiderohet një luks. Siç shihet edhe nga kjo foto e publikuar, mjafton që të ketë pak reshje shiu dhe fusha stërvitore konvertohet në… liqen.

Terreni ngarkohet, duke e bërë edhe më të vështirë gjendjen e saj. Dhe pikërisht dje, lojtarët janë detyruar që të përgatiten në kësi kushtesh. Pas dy ditëve pushim, dje lushnjarët janë stërvitur pikërisht në këtë fushë. Bashkia e Lushnjës, e cila është aksionerja e vetme e klubit të futbollit, nuk ka planifikuar shpenzime jashtë sh.a.- së. Për vitin 2019, njësoj si edhe për vitet e kaluara, nuk janë parashikuar investime.

Lushnja

Nuk ka asnjë plan dhe asnjë projekt. Bashkia si aksionere mund të përballojë e vetme subvencionimin që i bën klubit, i cili për këtë vit është 340 milionë lekë të vjetër. Një shumë, me të cilën përballohet aktiviteti futbollistik dhe shpenzimet operative. Investimi i fundit që ka bërë Bashkia e Lushnjës në infrastrukturë ishte para dy vjetësh. Me një investim prej 60 milionë lekësh të vjetër u bë i mundur licencimi i stadiumit “Roza Haxhiu” për Kategorinë Superiore, ndërsa punimet në anekset stërvitore mungojnë prej gati 3 dekadash.

SEFA – Sulmuesi dhe kapiteni i verdhejeshilëve, Fatjon Sefa, mbetet në çdo ndeshje pararojë e skuadrës. Ai shënoi një dygolësh ndaj Egnatias duke shkuar në kuotën e 11 golave dhe blinduar listën e golashënuesve për Grupin B. Me rrjetat e tij, Lushnja ka marrë 72% të pikëve. E megjithatë, për sulmuesin kjo nuk mjafton.

sefa1

“Më vjen me të vërtetë shumë keq që nuk e fituam ndeshjen me Egnatian. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, ku dominuam totalisht. Po kështu e nisëm edhe të dytën. Kartoni i kuq na vuri në gjumë, por ky nuk mund të jetë një justifikim. Duhet më shumë dëshirë dhe grintë për të përfunduar një ndeshje 90 minuta. Vërtet kemi dalë nga gara, por të respektojmë veten. Ta mbyllim me dinjitet dhe me kokën lart”, tha sulmuesi për “Panorama Sport”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL