Formacioni i mundshëm i Bylisit/ Kapiteni Marku flet para ndeshjes: E ndalim Vllazninë dhe dalim nga fundi
Sfida me Vllazninë ka marrë rëndësinë e veçantë në Ballsh, teksa synimi i klubit është vetëm fitorja, për të hedhur një hap drejt mbijetesës për në turin tjetër.

Mallakastriotët duket se do luajnë me më të mirët, aq më tepër që me 11 afrimet e realizuar gjatë merktos së janarit, e kanë konsoliduar edhe më ekipin, pasi janë lojtarë me eksperiencë dhe që vijnë nga kampionate të njohura. Josa, pritet që ashtu si ndaj durrsakëve edhe sot do të bëjë lëvizje dhe ndryshime në 11-shen bazë. Bylisi edhe pse krijoji volum loje shpërdoroi edhe së paku 3 raste për gol në Durrës.
Me Fokam, apo dhe Olavion e Vieira, apo dhe Kamaranë që rikthehet, me Përgjonin, më afër ofensivës, duket se mallakastriotët e kanë të blinduar sulmin. Rikthimet në mbrojtje dhe mesfushë, pritet që të rrisin cilësinë dhe konkurrencën, ndërsa skema e lojës pritet që të ndryshojë. Trajneri Mirel Josa edhe në seancën e djeshme, ka porositur lojtarët që të bëjnë kujdes, nisur edhe nga kualitetet dhe cilësitë që ka kundërshtari, që është një nga ekipet më në formë të elitës për momentin, ndërsa me optimizëm u ka kërkuar që të rikthehen te fitoja, sepse i kanë mundësitë. Fitoren e fundit me Vllazninë, Bylisi e ka gjatë sezonit të shkuar, në një ndeshje kampionati.
Kapiteni Aurel Marku, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka pohuar në prag të sfidës me Vllaznisë se Bylisi është gati.
“Ekipit nuk i mungon cilësia dhe potenciali, ndaj Bylisi synon të shfrytëzojë faktorin fushë për të hedhur një hap të sigurt drejt mbijetesës edhe pse ka një fazë e gjysmë për t’u luajtur. Në Ballsh, opinion kërkon kthesën nga skuadra dhe në një kalendar të ngjeshur dhe me duele delikate. Bylisi ka sot shansin që të rikthehet te fitorja, për të kënaqur edhe fansat që u larguan të zhgëjyer nga dy ndeshjet e shtëpisë, sidomos ajo e fundit me Partizanin. Duhet që të jemi vigjilentë dhe të përsëritim suksesin e sezonit të shkuar me Vllazninë, për të nisur kthesën dhe për të hedhur hap të sigurt drejt mbijetesës në elitë. Jemi të plotë dhe të shfrytëzojmë faktorin fushë, sepse kur jemi shtrënguar kemi mundur edhe Partizanin, Elbasanin apo dhe Vllazninë një vit më parë “, tha Aurel Marku, kapiteni i Bylisit.
Formacioni – U kanë dhënë fund pasditen e djeshme përgatitjeve dhe menjëherë kanë shkuar në grumbullim mallakastriotët në prag të duelit me kuqeblutë. Trajneri Mirel Josa dhe stafi kanë kërkuar angazhim maksimal dhe përqendrim total te kjo ndeshje. Skuadra mallakastriote, do të hyjë në fushë me synimin e vetëm, jo vetëm fitoren në këtë duel, por edhe lojën e bukur. Një duel jo i lehtë, por duket se Josa dhe stafi kanë vendosur që ta nisin me më të mirët.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













