Formacioni anti-Dinamo, Tetova kërkon ekuilibër në Rrogozhinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2025 | 8:27

Formacioni anti-Dinamo, Tetova kërkon ekuilibër në Rrogozhinë

Pas një paraqitjeje thuajse perfekte në Bjellorusi, Egnatia është shumë pranë kualifikimit në turin tjetër të Ligës së Konferencës.egnatiaFitorja 2-0 ndaj Dinamo Minsk i ka rritur ndjeshëm moralin dhe vetëbesimin kampionëve të Shqipërisë, të cilët tashmë janë me një këmbë në fazën pasuese të garës europiane. Trajneri Edlir Tetova pritet që në duelin e kthimit në Rrogozhinë të mos bëjë ndryshime në formacion. Ndryshe nga sa ndodhi ndaj Breidablik në kthim, ku i detyruar edhe nga mungesat të bënte eksperimente në formacion, një gjë e tillë as nuk mendohet këtë të enjte në Rrogozhinë.

SKEMA IDEALE – Në ndeshjen e parë, Egnatia u rreshtua me formulën 4-2-3-1, që u tregua e qëndrueshme në mbrojtje dhe shumë efikase në tranzicion. Dajsinani ishte i pakalueshëm në portë dhe dha siguri gjatë gjithë ndeshjes. Katërshja e mbrojtjes me Alijevin dhe Fangajn në krahë, si dhe Xhemajlin e Sotën në qendër, nuk lejoi hapësira dhe përballoi me qetësi çdo tentativë të bjellorusëve. Në mesin e fushës, Aleksi dhe Fernando bënë një punë të jashtëzakonshme në mbulim dhe ndërtim, duke i dhënë stabilitet skuadrës dhe duke ndalur shpesh kundërsulmet e Dinamos.

Më përpara, pas sulmuesit të vetëm Bakajoko, që u tregua i rrezikshëm dhe mbajti të zënë mbrojtjen kundërshtare, Tetova vendosi treshe kreative dhe dinamike me Grudën, Lushkjan dhe Selmanin. Ky repart jo vetëm që prodhoi volum loje në sulm, por ndihmoi edhe në presingun lart, duke fituar shpesh topa në zonën e rrezikut. Pikërisht nga kjo mënyrë loje erdhën edhe golat, të cilët ishin produkt i kombinimeve të shpejta dhe finalizimeve të sakta.6NDRECA “PRISH” PLANET – Duke parë balancën perfekte që arriti skuadra në këtë përballje, është shumë e mundshme që Tetova të mos ndryshojë asgjë në 11-shen startuese për sfidën e kthimit. Trajneri ka qenë gjithnjë i kujdesshëm në ruajtjen e formës dhe ritmit të skuadrës edhe në këtë pikë të sezonit, kur gjithçka varet nga një ndeshje, nuk pritet të rrezikojë me eksperimente. Vetëm ndonjë problem fizik i minutës së fundit mund të ndikojë në ndonjë zëvendësim të detyruar. Një nga çështjet që ka sjellë më shumë dilema në stafin teknik është rikthimi i mundshëm i Edison Ndrecës. Mbrojtësi i majtë duket se është gati të zbresë sërish në fushë, pas lënies pas të shqetësimeve fizike, por rikuperimi i tij ka ardhur në një moment kur formacioni i ndeshjes së parë ndaj Dinamo Minsk funksionoi në mënyrë të shkëlqyer.

Alijev mbuloi krahun e majtë me shumë disiplinë dhe përmbushi detyrat pa gabime, duke e vështirësuar vendimmarrjen për Tetovën. Nga njëra anë, tekniku ka në dispozicion një lojtar me eksperiencë dhe cilësi të provuara si Ndreca, por nga ana tjetër, çdo ndryshim në një sistem që funksionoi mirë mund të prishë balancat. Vendimi final do të merret vetëm pak orë para ndeshjes dhe gjithçka do të varet nga forma fizike e lojtarit dhe llogaritë taktike që do të bëjë trajneri.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL