Flamurtari synon portierin e Kombëtares, zbritja në Seria C shihet si asist për vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2025 | 22:19

Flamurtari synon portierin e Kombëtares, zbritja në Seria C shihet si asist për vlonjatët

Flamurtari kërkon portierin e Kombëtares. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se vlonjatët i kanë bërë një ofertë konkrete Elhan Kastratit. 28-vjeçari i lindur në Krumë është në optikën e kuqezinjve për të qenë “gardiani” i tyre sezonin e ardhshëm në Superiore.

Elhan-Kastrati

Kastrati ka kaluar një formë fantastike në nivelin personal. Portieri shqiptar ishte kthyer në një titullar absolut me Çitadellan në Serinë B prej 5 sezonesh. Gardiani ka fituar edhe një vend në treshen e portierëve të Kombëtares, ndërsa ai ka qenë i vetmi që luan rregullisht në nivel klubesh. Elhan Kastratit ka një karrierë të pasur. Ai e nisi te moshat e Teutës për t’u zhvendosur në Itali.

Fillimisht, në shtetin fqinj u aktivizua me “Curi Juniores” dhe më pas me Peskarën në sezonin 2016-2017. Kaastrati e njeh Kategorinë Superiore, pasi në sezonin 2017-2018 ka luajtur në Durrës te Teuta. Më pas u rikthye përsëri te Peskara në Itali. Në vitin 2020 ka mbrojtur portën e Trapanit dhe nga vitin 2020 dhe deri më tani është pjesë e Çitadelas. Flamurtari ka hyrë në bisedime intensive për të marrë shërbimet e Elhan Kastratit, që nëse do të pranojë ofertën e vlonjatëve do ta kishte si eksperiencë të dytë në elitën e futbollit shqiptar. Rënia në Serinë C e Çitadella e bën edhe më të lehtë, nëse Kastrati do të preferojë të transferohet te Flamurtari.

PORTIERËT AKTUALË –Stivi Frashëri dhe Ariol Kaloshi janë dy portierët, që mbyllën sezonin në Vlorë. Duke qenë se klubi ka nisur punën për të gjetur një portier të ri, duket se qëndrimi i Frashërit dhe Kloshit vendoset në pikëpyetje. Gjasat janë që rrugët të ndahen me Stivi Frashërin. Ky i fundit ishte i pafat vjet, pasi u dëmtua në shtator 2024 në ndeshjen me Kukësin. Ai pësoi një tërheqje në kuadriceps, që rezultoi shumë serioze. Ndërkaq, gjasat janë që Ariol Kaloshi që mbajti peshën sezonin e kaluar, mund të qëndrojë si portier i dytë.

Elhan Kastrati

Datëlindja: 02.02.1997

Vendlindja: Krumë, Shqipëri

Gjatësia: 1.89 m

Pozicioni: Portier

Karriera :

2012–2013  Teuta

2015–2020  Peskara

2016- Piaçenca (huazim)

2017–2018 Teuta (huazim)

2020- Trapani

2020– 2025- Çitadela

Me Kombëtaret

2012–2014  Shqipëri U-17

2015 Shqipëri U-19

2017–2018  Shqipëri U-21

2022– 2025 Shqipëri

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL